Rajoni

Salih Mustafës i vazhdohet paraburgimi në Hagë

Shpërndaje

Salih Mustafa, i njohur me nofkën e luftës si komandant “Cali” do të vazhdojë të qëndrojë nën masën e paraburgimit në Hagë.

Ky vendim është marrë nga trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia.

Salih Mustafa, i cili po gjykohet për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) i është vazhduar masa e paraburgimit. Sipas DhSK-së, i njëjti mund të pengojë përparimin e procedurës së Dhomave të Specializuara, duke ndërhyrë te viktimat dhe dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre.

Në anën tjetër, gjykata ka deklaruar se për të akuzuarin Mustafa nuk ekziston rreziku i arratisjes dhe se një rrezik i tillë, edhe nëse ekziston, mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen atij në pajtim me nenin 41 të Ligjit dhe rregullin 56 të Rregullave.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit. Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata. Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij para gjykatës, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.