Bota

Trump dhe Macron do të bisedojnë për marrëveshjen bërthamore me Iranin

Shpërndaje

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve se presidenti, Donald Trump dhe homologu i tij francez, Emmanuel Macron do të bisedojnë për marrëveshjen bërthamore me Iranin, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme.

Ky zyrtar tha se Trump gjithashtu do të bisedojë edhe për çështje të tjera me liderin francez, përfshirë edhe për sulmet e përbashkëta ajrore në Siri, që u kryen në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në qytetin Duma.

Macron pritet të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara nga 23 deri më 25 prill. Gjatë ditës së fundit të vizitës së tij, ai pritet të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan.

Trump ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshje bërthamore e nënshkruar më 2015, ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore. Kjo marrëveshje i mundëson lehtësim të sanksioneve Iranit, në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Trump ka vendosur 12 majin, si afat për të përmirësuar marrëveshjen.