Xhaferi: Ligji për gjuhët në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e Ivanovit
Ligji për përdorimin e gjuhëve do të dërgohet në Gazetën Zyrtare pa nënshkrimin e presidentit Ivanov, u ka thënë sot gazetarëve kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, pa precizuar se kur do të ndodhë ajo.
Për Xhaferin, nuk ka dyshime se Ivanovi ka shkelur kushtetutën me mosdekretimin e ligjit.
Ai thotë se bazuar në nenin 75 të alinesë 2, të Kushtetutës, nuk është vepër penale nëse Ligji për përdorimin e gjuhëve dërgohet pa nënshkrimin e Ivanovit, vetëm me nënshkrimin e kryeparlamentarit.
Por, Xhaferi thotë se përgjegjësia e presidentit për mosdekretimin e ligjit mund të kërkohet edhe pas përfundimit të mandatit të tij.
Njeherit, Xhaferi në takim me gazetarët tha se janë harmonizuar qëndrimet e opozitës dhe mazhorancës për Ligjin e gjykatësve, Prokurorisë dhe procedurës penale dhe se nga java ardhshme do të debatohet për ta.
Ndërsa janë harmonizuar edhe një pjesë të qëndrimeve për draft-versionin e ndryshimit të rregullores së punës së Kuvendit, që përkufizon kohëzgjatjen e seancës konstruktive.