Kurti: Policia e Kosovës forcohet me 397 zyrtarë të rinj, 118 prej tyre gra
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se 397 zyrtarë të rinj policorë kanë diplomuar në Gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, prej të cilëve 118 janë gra dhe 279 burra.
Në një postim, Kurti ka theksuar rëndësinë e integritetit dhe profesionalizmit në shërbimin policor, duke veçuar edhe investimet e bëra në forcimin e kapaciteteve të Policisë, veçanërisht në veri të vendit.
Postimi:
Përfaqësimi i Policisë së Kosovës, si pjesëtar i saj, është një prej përgjegjësive më të larta që mund t’i besohet e të pranojë dikush. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm, duhet të jetë përherë prioritet i pakompromis, sepse para së gjithash e gjithnjë është detyrë. Rëndësia e Policisë është aq e madhe, saqë e bën atë më tepër sesa institucion të rendit dhe ligjit.
Nga momenti i betimit, secila police e secili polic duhet të jetë në gatishmëri të plotë për të punuar me ndershmëri në interes të shtetit e të gjithë qytetarëve pa dallim, në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës së Republikës, duke kujtuar e nderuar secilën ditë jetën e kontributin e heronjve të Policisë sonë, si Enver Zymberi, Afrim Bunjaku dhe të gjithë të rënëve në krye të detyrës.
Me 118 gra e 279 burra, afërsisht një në tre, nga 397 të diplomuarit në Gjeneratën 63 të Policisë së Kosovës, është grua.
Në pesë vitet e fundit, buxhetin për Policinë e kemi rritur për më shumë se 50 për qind. 20 stacione, objekte dhe baza policore janë ngritur dhe forcuar në të gjithë veriun. Policia e rendit është pajisur me armë të gjata të cilat më herët mungonin, dhe automjete e autoblinda të reja me vlerë gati 8 milionë euro. Siguria në veri dhe angazhimi i Policisë ka bërë të mundur gjetjen e tri varrezave masive prej luftës së fundit në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut. Arritjet janë të shumta por me ato nuk duhet të vetëmjaftohemi. Ka ende shumë punë, shumë objektiva të cilat duhet t’i arrijmë si institucione, si polici dhe shoqëri.

