Abdulla Mehmeti: Lista e përgjithshme e votuesve në Maqedoni dhe referendumi për ndryshimin e emrit të shtetit
Shteti që nuk e ka bërë regjistrimin e popullsisë sipas standardeve ndërkombëtare dhe në afatin e përcaktuar me konventa ndërkombëtare, i cili nuk mund të ketë aktualisht mbi 1,5 milion banorë, nuk mund të ketë 1,8 milion votues! Kjo gjendje nuk është e mjaftueshme vetëm të konstatohet, por edhe të ndryshohet, nga pushteti dhe faktorët politikë, në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
Abdulla Mehmeti
Çfarë duhet të dinë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët për Listën e përgjithshme të votuesve në Maqedoni?
Në afatin e paraparë ligjor këto ditë është publikuar Lista e përgjithshme e votuesve në Maqedoni, në prag të referendumit që pritet të mbahet më 30 shtator të këtij viti, në lidhje me Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar nga qeveria e Maqedonisë me qeverinë e Greqisë për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia Veriore. Pavarësisht se pushteti ka paraparë që pyetja e këtij referendumit të fokusohet edhe në çështje të tjeta, të konsultohen qytetarët e vendit „a janë për integrimin е shtetit në NATO dhe BE“.
E gjithë kjo është çështje e pushtetit aktual se si dëshiron t’i zbatojë reformat e brendshme dhe t’i zgjidh problemet me shtetet fqinje, por, çështja që duhet t’i preokupojë qytetarët e këtij vendi dhe sidomos shqiptarët, janë procedurat demoratike që duhet të zbatohen në këto raste, siç është deklarimi i qytetarëve për çështje të rëndësishme të shtetit përmes referendumit, në këtë rast përmes shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve për çështjen e integrimit në NATO dhe BE, përkatësisht mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar nga qeveritë e këtyre dy vendeve për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar për ndryshimin e emrit kushtetues, nga Republika e Maqedonisë (të njohur ndërkombëtarisht si Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë) në Republika e Maqedonisë Veriore.
Vullneti i lirë i qytetarëve nuk mund të shprehet me masën e lirisë që ua përcaktojnë organet e sigurimit të shtetit!
Deklarimi i qytetarëve për çfarëdo çështje të rëndësishme përmes listës ekzistuese të votuesve është shkelje flagrante e parimeve themelore të demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve.
Problemi thelbësor për shqiptarët dhe qytetarët tjerë të Maqedonisë kësaj radhe nuk është vetëm çështja e deklarimit në lidhje me këtë Marrëveshje, as çështja e integrimit të vendit në NATO dhe BE, përmes shprehjes së lirë të vullnetit politik, pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në referendum, por procedurat demokratike që duhet të zbatohen me këtë rast, respektimi i parimeve themelore të demokracisë dhe përmbushja e standardeve ndërkombëtare.
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për përsëritjen e gabimeve nga e kaluara?
Çështja e parë që duhet ta dinë shqiptarët dhe qytetarët tjerë në Maqedoni në lidhje me referendumin e radhës është manipulimi me Listën e përgjithshme të votuesve (zgjedhësve) dhe shkelja e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve me pjesëmarrjen në referendum në bazë të kësaj Liste të manipuluar, të falsifikuar dhe me prapavijë politike, edhe atë:
- Lista e zgjedhësve kryesisht është në kompetenca të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Entit Shtetëror të Statistikës të Maqedonisë, ku shqiptarët janë të përfaqësuar në masë simbolike, ndërsa në disa sektorët të tyre nuk janë fare të përfaqësuar.
- Lista e përgjithshme është gati e pandryshuar gjatë 27 viteve të kaluara, e cila është përdorur në të gjitha ciklet zgjedhore që nga viti 1990 e deri më sot, e që është dëshmuar se nuk i përmbush standardet e nevojshme, sepse është e manipuluar, e falsifikuar, e përgatitur nga organet kompetente të këtij shteti për falsifikimin e të gjitha zgjedhjeve deri më sot, si dhe manipulimin me format tjera të deklarimit të qytetarëve, siç është çështja e referendumeve. Referendumi i 30 shtatorit të këtij viti është i treti sipas radhës që organizohet në nivel të shtetit. Referendumi i parë është organizuar në vitin 1991 për pavarësinë e shtetit (të cilin e kanë bojkotuar shqiptarët) dhe i dyti për organizimin territorrial të shtetit (ndarjen administrative të komunave dhe rajoneve ekonomike), i cili është mbajtur më 2004 me iniciativë të partisë nacional shoviniste OBRM-PDUKM, në dëm të interesave të shqiptarëve, por i njëjti ka përfunduar me rezultat negativ dhe i dështuar.
- Lista e zgjedhësve edhe kësaj radhe si herëve të tjera më parë është publikuar edhe në formë elektronike, me qëllim që qytetarët t’i verifikojnë të dhënat e tyre personale, nëse janë të përfshirë në këtë listë, ose nuk janë. Por, kjo bëhet sa për t’u hedhur hi syve qytetarëve, të cilët përveç verifikimit të të dhënave personale nuk kanë asnjë të drejtë dhe mundësi të ndërhyjnë në këtë listë. Lista e përgatitur nga organet kompetente, e cila edhe kësaj radhe u ofrohet qytetarëve (votuesve) për shikim, përkundër vërejtjeve të shumëta nga qytetarët, mediat dhe disa subjekte politike, nuk është ndryshuar deri më sot.
Lista e përgjithshme ka numër më të madh votuesish se sa shteti ka gjithsej banorë!
Përfundimisht, nuk është vetëm çështja e përkrahjes së këtij referendumi ose mospërkrahja e tij nga qytetarët shqiptarë, për shkak të qëllimit të tij, por edhe mënyra e zbatimit, standardet që duhet t’i plotësojë ky referedum.
Me këtë Listë të përgjithshme të zgjedhësve, siç është aktualisht, dhunohet e drejta më elementare demokratike, shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve, edhe atë, sepse:
– Lista e përgjithshme nuk është reale, nuk përmban të dhëna të sakta për numrin e përgjithshëm të votuesve;
– lista ka më tepër votues (afër 1.800.000 votues), se sa shteti aktualisht ka gjithsej banorë (në vitin 2002 ka pasur 2.022.547 banorë), nëse merren parysysh të dhënat e institucioneve ndërkombëtare për largimin nga Maqedonia gjatë viteve të fundit të afër 520.000 banorëve, kryesisht qytetarë të moshës madhore me të drejtë vote;
– lista nuk është pastruar deri më sot nga votuesit fiktivë, edhe përkundër vërejtjeve nga opinioni vendës, mediat, disa subjekte politike dhe faktori ndërkombëtar;
– lista përfshin qytetarë (votues) të shpërngulur përgjithmonë nga Maqedonia shumë vite më parë, persona të vdekur, persona me adresa të dyshimta, persona të përfshirë nga dy-tri herë në listë, mëjëra persona me letërnjoftime dhe dokumente identifikimi të falsifikuara, shtetas të huaj të pajisur me dokumente personale (letërnjoftime dhe pasaporta) të lëshuara nga po këto organe të cilat janë kompetente për përgatitjen e Listës së votuesve dhe që duhet të kujdesen për pastrimin e saj nga votuesit fiktivë. Këto veprime siç duket janë të qëllimshme dhe me prapavijë politike, për fshehjen e gjendjes faktike për strukturën etnike të popullsisë.
Problemet e trashëgura që prodhojnë krizë politike duhet të zgjidhen, jo të fshehen dhe përsëriten
Gabimet me përmasa kaq të mëdha nuk janë të paqëllimshme, meqë nuk bëhet fjalë për ndonjë shtet të madh me qindra milionë banorë, por për një shtet të vogël i cili aktualisht nuk mund të ketë mbi 1.500.000 banorë (jo më të ketë 1.800.000 votues), numri i të cilëve mund të kontrollohet dhe verifikohet në çdo çast nga organet kompetente, pa pasur nevojë të preokupohen dhe manipulohen qytetarët me këtë çështje. Këtë e mundëson teknologjia bashkëkohore, ndërsa arsyetimet tjera janë me prapavijë politike, lojë me ndjenjat e qytetarëve dhe tallje me inteligjencën e tyre.
Shteti që nuk e ka bërë regjistrimin e popullsisë sipas standardeve ndërkombëtare dhe në afatin e përcaktuar me konventa ndërkombëtare, që nuk mund të ketë aktualisht mbi 1.5 milion banorë, si mund të ketë 1.8 milion votues? Nuk është e mjaftueshme vetëm të konstatohet kjo gjendje, por edhe të ndryshohet nga pushteti dhe faktorët politikë kompetentë, në interes të qytetarëve dhe të shtetit.
Pa përfundimin e procedurës gjyqësore dhe dënimin e fajtorëve për dështimin e regjistrimit të popullsisë më 2011, drejtues të atëhershëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Entit Shtetëror të Statistikës dhe të Qeverisë, të cilët e kanë përgatitur dhe lejuar këtë lojë për dështimin e regjistrimit të popullsisë, si dhe për falsifikimin e Listës së zgjedhësve (votuesve) me qëllim të falsifikimit të zgjedhjeve, çdo operacion shtetëror siç janë zgjedhjet dhe referendumet, është jodemokratik, jokushtetues dhe jovalid, si të tillë duhet të jenë të papranueshëm edhe nga qytetarët shqiptarë në Maqedoni!
(13 gusht 2018)