Çështja e kufijve, Daçiq thotë se propozimet e para paraqiten në shtator
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë sot se përcaktimi i kufijve me Kosovën është ende vetëm një ide në letër, dhe se për propozimet konkrete dhe përmbajtjen e zgjidhjes përfundimtare do të flitet në muajin shtator.
Sipas tij, nuk është e thënë që këto ide të pranohen gjithsesi, transmeton lajmi.net.
“Nga muaji shtator do duhej të bisedohej për këto gjëra. Për atë se kush çfarë e mendon marrëveshjen e kompromisit. Këto ide për të cilat është dëgjuar të flitet, nuk do të thotë se do të pranohen”, ka thënë Daçiq.
Tutje, Daçiq ka thënë se arsye se pse shtatori po përmendet për një çështje të tillë, është fakti që po në këtë muaj mblidhet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Daçiq po ashtu ka ripërsëritur qëndrimet e tij se pozita e SHBA-së karshi çëshjes së Kosovës ka ndryshuar, dhe se tani pala amerikane është e interesuar të dëgjojë propozimet e të dy palëve.
Megjithatë, sipas tij shqiptarët e Kosovës nuk po e pranojnë një gjë të tillë, pasi siç thotë ai ata kërkojnë me çdo kusht njohjen e pavarësisë.
Daçiq u pyet edhe për atë se çfarë do të ndodhë me serbët e jugut nëse bëhet përcaktimi i kufijve, ku tha se së pari duhet parë se a është përcaktimi i kufijve i pranueshëm e më pastaj të shihet për hapat e mëtutjeshëm./Lajmi.net/