Frikë për një tragjedi si ajo në Itali, nis kontrolli i urave në Shqipëri
Policia Rrugore në Shqipëri njoftoi sot se do të nisë një aksion për inspektimin e urave.
Kjo vjen pas tragjedisë që ndodhi në Genova të Italisë, ku pas shembjes së urës Morandi humbën jetën 38 persona.
Drejtori i Policisë Rrugore Mithat Tola pohoi se ka filluar inspektimi i sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura, po ashtu edhe gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.
“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, nisur nga ngjarja tragjike – rrëzimi i Urës në Genova të Italisë, ku humbën jetën 39 persona, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë.
Në bashkëpunim me aktorë të tjerë të ngarkuar me ligj për menaxhimin e elementëve të sigurisë rrugore në këto infrastruktura, Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke “prodhuar” me shumë siguri rrugore.”, tha Tola.