Rajoni

Si vdiq 3-vjeçari në banesë- Tmerri që përjetoi familja shqiptare

Shpërndaje

Po luante me vëllain e tij të madh, bombola e oksigjenit i merr jetën djalit 3 vjeç. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Mborje të Korçës mesditën e së enjtes.

Dy fëmijë të vegjël, të cilët i kishin shpëtuar kujdesit të nënës së tyre, teksa po luanin në njërën nga dhomat e shtëpisë, lëvizën pa dashje bombolën e oksigjenit që gjyshi i tyre përdorte për arsye shëndetësore. Fëmija i vogël që mbeti viktimë, J.Duci, 3 vjeç, ishte duke luajtur me vëllain e tij të madh, 5 vjeç, në momentin e ngjarjes.

E gjithë ngjarja ka ndodhur kur në banesë ndodhej dhe mamaja e dy djemve të mitur. Familjarët tregojnë se dy djemtë po luanin në dhomën e gjyshit, ku përveç orendive të tjera ndodhej një bombol oksigjeni. Bombola përdorej nga i gjyshi i tyre, që vuante nga astma. Fëmija ka prekur bombolën, e cila ka rrëshqitur, duke e zënë poshtë. Nëna e 3-vjeçarit e ka parë të mbuluar nga gjaku dhe e ka dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ata e kanë pasur të pamundur të mbajnë në jetë djalin e vogël. Ka qenë pikërisht djali 5 vjeç, që ka lajmëruar nënën e tij për incidentin që i mori jetën vëllait të tij të vogël. “Mami eja, se vëllai nuk po merr dot frymë”, mësohet të kenë qenë fjalët e tij drejtuar nënës. Kjo e fundit, kur ka hyrë në dhomë ka parë djalin 3-vjeçar të mbuluar me gjak. Në kushtet e rënda dhe e tronditur psikologjikisht, nëna e dy fëmijëve të mitur e ka pasur të pamundur të flasë për ngjarjen. Ajo është marrë në pyetje nga oficerët e Policisë, ku ka deklaruar se gjithçka ka ardhur në një moment, kur po merrej me punët e përditshme të shtëpisë. E gjithë kjo ngjarje e rëndë ka ardhur ndërkohë që një pjesë e pjesëtarëve të familjes Duci ndodheshin në një ceremoni mortore. Kjo ka bërë që nëna, ndërkohë që merrej me punët e shtëpisë, të humbasë nga syri dy fëmijët e saj të mitur. “Kanë qenë duke luajtur në dhomë. Njëri prej fëmijëve ka qenë në dysheme, ndërsa tjetri ka hipur mbi divan ku ishte dhe bombola. Duke luajtur, bombola ka rënë poshtë dhe ka zënë djalin e vogël. E gjetëm të mbuluar në gjak. Ishim në një ceremoni mortore tjetër kur na lajmëruan për fëmijën. Familja jeton në kushte të vështira ekonomike”, kanë deklaruar të afërm të familjes. Ndërkohë, përmes një deklarate zyrtare, Policia e Korçës bëri me dije humbjen e jetës së fëmijës, ndërsa e klasifikoi vdekjen si ngjarje aksidentale. “Më datë 16.08.2018, rreth orës 11:25, në fshatin Mborje-Korçë, në banesë, shtetasit J.D, rreth 3 vjeç, dyshohet se duke luajtur aksidentalisht i ka rënë duke e zënë poshtë, një bombol gazi e madhe, e cila për pasojë i ka shkaktuar dëmtime trupore këtij të fundit. Ky shtetas u shoqërua në Spitalin e Korçës nga familjarët e tij, ku më pas ka ndërruar jetë”, bën të ditur Policia, duke shtuar se ndërkohë grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.