Vijnë, premtojnë dhe nuk realizojnë

Shpërndaje

Po mbushen një vit, respektivisht tre vite që kur ky fshat është vizituar nga shumë delegacione qeveritare, por situata në teren mbetet e njëjtë. Banorët janë të irrituar dhe thonë se nuk presin më asnjë ndihmë nga askush.

Urim HASIPI

Tetovë, 7 gusht – Tre vite më parë, kur disa vendbanime të Tetovës ishin përfshirë nga vërshimet që morën me vete edhe viktima në njerëz, autoritetet qendrore dhe ato lokale nuk gjetën mënyrë për të parandaluar vërshime dhe përmbytje të reja. Pikërisht tre vite më pas, në fshatin Poroj sërish kishte frikë që situata të del jashtë kontrollit, shkruan gazeta KOHA. Sipas një retrospektive, në këtë fshat pothuajse nuk ka ngelur pa ardhur asnjë funksionarë më i lartë shtetërorë në nivel kryeministrash. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski dikur kishte paralajmëruar se do të sanohen dëmet dhe do të intervenohet që situata të këtilla të mos përsëriten.

Po ashtu, në vitin 2017 në këtë fshat kishte ardhur edhe kryeministri i ri Zoran Zaev, për të parë nga afër vërshimet duke premtuar se Qeveria është në dispozicion që të ndihmojë edhe në sanimin, por edhe në parandalimin duke premtuar ndërtimin e digave. Në delegacionin e tij ishte edhe kryetarja e Komunës së Tetovë, Teuta Arifi dhe zëvendëskryeministri Hazbi Lika. Tashmë po mbushen një vit, respektivisht tre vite që kur ky fshat është vizituar nga shumë delegacione qeveritare, por situata në teren mbetet e njëjtë. Banorët janë të irrituar dhe thonë se nuk presin më asnjë ndihmë nga askush.

“Si Bashkësi Lokale më nuk kemi arsye përse t`i pranojmë sepse premtimet e tyre kanë qenë shumë të mëdha. E vërtetë është se diçka të vogël kanë bërë, por është minimale ajo në krahasim me kërkesat tona. Ne kërkojmë zgjidhje dhe jo vetëm sanim”, deklaroi Sulejman Ramadani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Porojit. Nga Komuna e Tetovës thonë se procedura për furnizime publike për pastrimin e lumenjve është në rrjedhë e sipër.

“Vendimi për shpalljen e furnizimit publik për pastrimin e shtretërve të lumenjve edhe atë të lumit Shkumbin, lumenjve në fshatrat Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël, si dhe lumin e fshatit Poroj, tashmë është shpallur dhe procedurat për mbarimin e këtij vendimi janë nga fundi. Kështu, sipas këtij vendimi, nga Buxheti i Komunës janë ndarë 5 milionë denarë që parashihen për pastrimin e shtretërve të lumenjve, ndërkohë që në procedurë e sipër është dhe plani aksional mbi rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve për të cilin plan janë ndarë mjete nga Ministria e Ambientit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësirë në vlerë prej 5 milionë denarë, por që sipas vendimit të ministrisë, ky plan aksional pritet të fillojë realizimin diku në muajin tetor kur edhe është paraparë pastrimi i shtretërve të lumenjve në mbarë vendin”, thotë Arsim Nuredini nga Komuna e Tetovës.

Vërshimi i lumit të Porojit kësaj radhe nuk kishte dëme më të mëdha nga ato të zakonshmet, por shkaktoi vetëm probleme në një pjesë të fshatit duke dëmtuar një urë dhe dëme në bujqësi. Banorët shprehen se funksionarët vijnë vetëm kur ndodhin vërshimet, japin premtime të mëdha dhe në terren nuk realizojnë asgjë, duke i lënë në mëshirë të fatit. Madje, banorë tashmë edhe kanë hequr dorë edhe nga protestat, sepse zhgënjimi tek ata është i madh.

Kërkesa kryesore e tyre është rregullimi i digave përgjatë këtij lumi, kërkesë kjo që është adresuar edhe tek Qeveria edhe tek komuna, por vetëm zhagitet dhe nuk realizohet. Bile, edhe përgjigje se do bëhet apo jo, nuk ka. (koha.mk)