Vuçiq pro ndarjes së serbëve dhe të shqiptarëve
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se “promovon politikën për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”. Disa shtete të QUINT-it, thonë se lëvizja e kufijve destabilizon Ballkanin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po angazhohet tashmë hapur për ndarjen ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duke nxitur edhe më shumë debatin në Beograd dhe Prishtinë për ndarje të Kosovës. Madje Presidenti Vuçiq tha se ai e promovon politikën për ndarje me shqiptarët.
Në Kosovë, Presidenti Hashim Thaçi, nga ana tjetër thotë se “nuk ka ndarje tokësore të Kosovës”, por, kërkon korrigjim të kufirit që sipas tij, nënkupton bashkimin me Kosovën të tri komunave me shumicë shqiptare të jugut të Serbisë.
Vuçiq: Territori i përbashkët burim konfliktesh
“Unë jam në favor dhe kjo është politika ime, për ndarjen me shqiptarët, sepse të kemi një territor që nuk dihet se kush e trajton atë dhe çfarë kujt i përket, është gjithmonë një burim konfliktesh të mundshme. Nuk e fsheh një synim të tillë, por, nuk dihet nëse këtë do ta pranojë populli serb apo jo dhe, nëse do të ketë sukses, kjo nuk varet vetëm nga Serbia”, tha Aleksandër Vuciq.
Por, mediet në Prishtinë citojnë përfaqësuesit e disa shteteve më të industrializuara QUINT, të cilët tashmë janë shprehur kundër lëvizjes së kufijve, sepse, sipas tyre kjo mund ta destabilizojë Ballkanin.
Destabilizim i Ballkanit?
Ambasada e Britanisë së Madhe, thotë se “Ne besojmë se thirrjet për modifikim të kufijve nacionalë mund të jenë destabilizuese. Ashtu siç kemi qenë gjithmonë të qartë, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonit në tërësi. Qeveria britanike beson se kjo duhet të jetë në bazë të njohjes së vendeve të pavarura brenda kufijve të tashëm. Ne vazhdojmë ta mbështesim dialogun të lehtësuar nga Bashkimi Evropian me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme me të cilën përfitojnë të dy vendet”.
Mediet në Prishtinë citojnë edhe ambasadën Gjermanisë në Kosovë, ku thuhet se “Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve”.
“Ministri i shtetit gjerman, Michael Roth, sikurse edhe ambasadori Christian Heldt në intervista të ndryshme e kanë bërë të qartë pozicionin zyrtar lidhur me dialogun për normalizim të marrëdhënieve”. E përditshmja kosovare Koha Ditore, citon pjesë të një interviste të ministrit Roth dhënë kësaj gazete në 10 vjetorin e pavarësisë i cili thotë se “lëvizjet e kufijve janë shumë të rrezikshme dhe mund ta destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit”.
Qëndrime të pandryshuara
“Unë nuk do t’i ofroja asnjërës palë propozime konkrete nga jashtë, sepse çështjet që ju përmendni janë shumë komplekse dhe sigurisht aspak të thjeshta për t’i zgjidhur. Mirëpo, përgjithësisht unë kam besim që Kosova dhe Serbia do të tejkalojnë këtë pengesë, nëse për këtë ka vullnet politik. Ndonëse këtu më duhet të shpreh një paralajmërim: lëvizjet e kufijve janë tejet të rrezikshme. Ne i kundërshtojmë ato në mënyrë kategorike”, citohet të ketë thënë ministri Michael Roth.
Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka kundërshtuar zerat se administrata amerikane ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një nga miqtë më të afërt dhe mbështetës të Kosovës, pavarësisht atë që mund të lexoni në media, kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Partneriteti ndërmjet dy vendeve është i thellë dhe shumë dimensional”, tha ambasadori amerikan Delawie.
Dialogu vazhdon
Sidoqoftë, Serbia dhe Kosova do ta vazhdojnë dialogun e nivelit të lartë politik në fillim të shtatorit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Një marrrëveshje e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po kërkohet me ngulm nga BE-ja. Këtë e konfirmoi këtë të premte edhe zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin, i cili tha se “një zgjidhje e përhershme e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të jetë realiste dhe e qëndrueshme”.
“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka për qëllim nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’iu ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën drejt Evropës, përmirësimin e jetëve të popujve të tyre. Zgjidhja përfundimtare nënkupton një zgjidhje të përhershme, nënkupton një zgjidhje realiste, të qëndrueshme dhe të mundshme, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha zëdhënësi Carlos Martin. /DW