Nga Vebi Bexheti: Kushtuar Alajdin Demirit
Nga Vebi BEXHETI
Me rastin e Mbledhjes komemorative në Universitetin e Evropës Juglindore –Tetovë, për ndarjen nga jeta të Alajdin Demirit
URAGANI I NDËRPERË
Të nderuar anëtarë të familjes së Alajdin Demirit, i nderuar Rektor Bexheti, Rektor Abazi, të respektuar studentë, kolegë dhe të gjithë të pranishëm tjerë në këtë tubim komemorativ!
Sot jemi mbledhur në këtë salle, jo për të debatuar, për çështje akademike, por për ta kujtuar figurën e kolegut tonë të respektuar e të dashur për të gjithë, Alajdin Demirin, që tri ditë më parë u nda ga jeta, në moshën 65 vjeçare, duke lënë të pikelluar familjen, kolegët, miqtë, shokët e veprimtarët e betejave të përbashkëta për çeshtjen kombëtare.
Të nderuar të pranishëm, ndarja e tij nga jeta, në kohën kur na duhej ende, pas gjithe atyre betejave që ia imponoi koha, ishte lajm i trishtueshëm edhe për kolektivin tonë të madh të kësaj vatre të dijes e shkencës, të shtëpisë së dytë të tij, ku kaloi 15 vite pune mes studentësh, e kolegësh intelektualë të shumtë.
Profesor Alajdini, që këtë titull e meritonte me gjithë peshën e fjalës, ishte intelektual i mirëfilltë dhe me kapacitete për debate të ndryshme, mbase përmasa intelektuale e tij me njohje të gjithanshme u bënte ballë edhe sfidave të kësaj natyre. Ndarja nga jeta nuk është fjala e tij e fundit, por vetëm shkuarje fizike që do na mungojë të gjithëve. Njohuritë e tij mbi shoqërinë, shtetin dhe filozofine politike, të bazuara mirë në dijen teorike, që shpesh i trajtonte mes studentësh e kolegësh, do mbahen mend si shembull se si duhet gërshetuar dijen teorike shkencore, me veprimtarinë praktike të fushave të ndryshme, e veçmas të asaj politike që edhe e kishte pasion, e herë herë edhe profesion, i vetëdishem edhe për rreziqet që mund t’i sjellë ajo, nëse nuk u përshtatesh rrethanave të çdo kohe e të çdo sistemi.
Edhe pse në këtë Universitet ai nuk ishte në procesimn mësimor akademik, me punën e tij si udhëheqës i shërbimeve studentore, i Drejtorisë për studentë me korrespndencë dhe Drejtor i Bibliotekes universitare, me veprimet këshilluese dhe udhëzimet tij për zgjidhjen e problemeve të natyrave të ndryshme, të studentëve, do mbetet shembulli më i mirë i udhëheqësit të thjeshtë, inkluziv e i afërtë për të gjithë.
Me dijen që kishte, dhe njohuritë e thella si intelektual i formuar, dhe pedagog i shkëlqyeshëm që u dëshmua si profesor në Gjimnazin e Tetoves, Alajdini do ishte profesor shembullor edhe në Universitetin tonë, por modestia e tij, edhe pse jo aq e shprehur, nuk e lejoi t’i ndjekë studimet pasuniversitare për të marrë titujt shkencor, vetem pse ishte i punësuar në këtë institucion, i ndrojtur se ndoshta këta tituj që do i mundësonin të bëhet pjesë e stafit mësimdhënës, do përgojoheshin për konflikt interesi.
Te nderuar të pranishem, Alajdin Demiri, qysh në rininë e hershme të tij, sapo e mbaroi Gjimnazin në Tetovë, u nis drejt Universitetit të Sarajevës, në kërkim të dijes, në një mjedis të panjohur për te, por me shpresë se në një qendër universitare shumë larg vendlindjes së tij, më lehtë do depërtojë shtigjeve të dijes, me njohuri paraprake se në Katedrën e Sociologjisë së atij universiteti do merrte dije nga profesorë të dëshmuar shkencërisht, emrat e të cilëve i përmendte shpesh në bisedat tona për ditët e rinisë studentore.
Pas mbarimit të Universitetit me sukses të shkëlqyeshënm, kthehet në qytetin e lindjes, në Tetovën e tij të që e lidhnin aq rrënjë të thella të kushedi sa brezave. Fillimisht punësohet si gazetar në Rdio televizionin e atëhershëm te Shkupit, e më vonë pranohet në Gjimnazin e Tetoves, ku me dije të mirëfillta në fushën e shkencave shoqërore dhe njohuri të përgjithshme të absorbuara nga veprat e shkecëtarëve më të njohur të kohës, shkëlqeu si mësimdhënës i sociologjisë, edhe pse pa ndonjë përvojë paraprake në arsim.
Pikërisht në këtë Gjimnaz nis edhe beteja e tij politike, në vitet e mbrapshta kur pushteti atëhershëm sllavo- komunist donte ta shkatërrojë këtë shkollë shqipe që ishte edhe çerdhja e vetme, ku mësonin dhe edukoheshin brezat e rinj, që më pastaj të shpërndaheshuin nëpër universitetet e vendit e veçmas në ate të Prishtinës.
Profesor Alajdini, edhe pse ndër më të rinjtë, ose më i riu në atë vatër shkollore, ishte më i respektuari nga kolegët më të vjetër, madje edhe nga profesorët e dikurshëm të tij, pikërisht se ishte i pakompromis kundër padrejtësisë dhe dëshirës shfarosëse komuniste për shqiptarët e shkolluar. Këtë qëndrim të pathyeshëm të tijin për t’i mbrojtur shokët që diferencoheshin dhe shkollën shqipe, e pagoi me largim nga puna, bashkë me disa profesorë tjerë. Edhe pse që në rininë e tij, politika antishiptare përmes njerëzve të Komitetit u mundua ta ndërpresin këtë uragan, siç do thoshte Kdare për Migjenin, Alajdini nuk dorëzohet, nuk gjunjëzohet e as mposhtet, përkundrazi mburrej se duke viktimizuar veten i kishte shpëtuar edhe shumë profesorë tjerë.
Pas një kohe si i papunë, e gjen një shteg për t’u punësuar në bibliotekën e qytetit, por që sërish e largojnë në momentin kur fushata kundër shqiptarëve merrte përmasë më të fuqishme. I mbetur pa punë dhe me gjendje të rrënuar ekonomike, s’i mbeti gjë tjetër, përveç synimit drejt rrugës së kurbetit, që do ndryshonte nga ai i zakonshmi, sepse ky, si njeri gjithmone i etshëm për dije, krahas punës së përditshme, e studionte edhe frengjishten, por asnjëherë pa u ndarë edhe nga veprimtaria atdhetare që atëherë zhvillohej në Zvicër dhe mbarë diasporën shqiptare.
Në kohën kur po shpërbëhej jugosllavia dhe krijoheshin kushte në vend për organizim legal politik, Alajdini kthehet ta vazhdojë këtë veprimtari në Tetovën e vet me idetë se kontributi i tij i duhet vendlindjes dhe shqiptarëve të pa ndonjë përvojë në këtë drejtim. Pas aktivitetit të vazhdueshëm politik dhe kontributin disavjeçar në formimin e partive shqiptare në Maqedoni, në zgjedhjet lokale të vitit 1996, zgjigjet Kryetar i Komunës së Tetovës, ku brenda një periudhe të shkurtër kohore, e vazhdoi betejën e radhës, duke u përballur me politikën e Qeverisë së ashtuquajtur demokratike të Maqedonise e cila me miratimin e Kushtetutës së vitit 1991, shqiptarët i zhveshi edhe nga ato pak të drejta të trashëguara nga ish sistemi komunist , pa e përfillur fare votën e deputetëve shqiptarë.
Puna për një kohë të shkurtër e tij, si Kryetar Kumune, bashkë me bashkëpunëtorët dhe Këshillin komunal, kaloi nën trysninë e politikes së ashpër të Qeverisë, që kulmoi me sulmet brutale të policisë së shtetit, me rastin e ngjarjeve të Gostivarit, të vitit 1997, në mbrojtje të Flamurit kombëtar, kur u vranë tre djem të ri gostivaras, u plagosën e u keqtrajtuan qindra të tjerë, dhe u burgos kryetari Gostivarit, Rufi Osmani me Kryetarin e Këshillit Refik Dautin dhe vet Kyetari Alajdin Demiri, me kryetarin e Këshillit komunal të Tetoves.
As burgosja nuk e mposhti ate, përkundrazi, pas një viti brenda grilave, e vazhdoi veprimtarinë e tij politike kombëtare, zanat të cilin e kishte pjekur gjatë kohë si bashkëpunëtori më i ngushtë Arbën Xhaferit, ideologut të përmasës mbarëkombëtare që në plitikën shqiptare solli filozofi të re të politikbërjes.
Alajdin Demiri ishte njeriu që kurrë nuk e njohu dorëzimin , përkuljen dhe kthimin prapa, madje, që në rininë e tij si gazetar e analist politik në Radiotelevizionin e athershëm të Shkupit, prej nga u largua gjithashtu si i papërshtatshëm për politikat redaktuese të kësaj shtëpie informative. Ai nuk u dorëzua as para betejave të ashpra të diferencimit ideo- politik si profesor, as kur punonte në Bibliotekën e Qytetit, prej nga gjithashtu u përjashtua si element armiqësor. Ai mbeti i tillë edhe kur e shijoi bukën e hidhur të kurbetit, edhe atëherë kur iu kthye Tetovës dhe Tetovarëve, nuk u dorëzua as atëherë kur një vit e kaloi në burg.
Alajdini nuk iu nda kauzës kombëtare, madje edhe kur ushtroi detyra diplomatike, i vetëdishëm se pa të drejtat e plota të shqiptarëve, në këto hapësira nuk do ketë shtet stabil e me ardhmëri të sigurtë.
Ishte ai , njeriu i betejave edhe në debatet e organizuara nga shtëpitë informative më antishqiptare në vend, duke i mposhtur politikisht gjithmonë albanofobët me të zëshëm, sepse para së gjithash kishte guxim, dije dhe argumente të pakapërcyeshme për të gjithë ata që dëshironin ta shihnin të nënshtruar, ate dhe bashkëkombasit e tij. Aq sa ishte i ashpër kundër gjithë atyre, që i shpartallonte në përballje debative politike, aq edhe miqësor me të njëjtët në jetën private, kur pinte kafe me to sepse kjo ishte vetia më e theksuar fisnike e intetektuale e njeriut, që asnjëherë nuk e luftonte njeriun, të cilësdo qoftë përkatësi nacionale, por vetëm idetë e mbrapshta të tyre, që në rrethanat tona mund të ishin edhe tepër të rrezikshme .
Ky njeri i pathyeshëm që e urrente zhagitjen për toke dhe lëmoshën nga ata që të shtypnin, e përballoi edhe edhe dhembjen familjare, i vetëdishëm se beteja është e gjatë dhe nuk duhet ndërprerë, as edhe në përjetimet e momenteve më të vështira jetësore.
Koha që kaloi në Universitet si udhëheqës i Bibliotekës, dhe mes librash, i cili me kohë i kishte bërë pjesë të jetës, ishin vite të prehjes, që sado pak e qetësuan shpirtin e tij luftarak, edhe pse vazhdoi të mbetet një luftëtar i pakompomis kundër padrejtësisë, deri në momentet e fundit , kur edhe i mbylli sytë, duke na lënë të pikëlluar, por njëkohësisht edhe me mburrje që e patëm këtë URAGAN TË NDËRPRERË, para kohe.
Lavdi jetës dhe veprës së tij !