MaqedoniTop Lajme

Sonte u promovua Arkin Jahiji, kandidati i AKI-së për Kryetar të Komunës së Bërvenicës

Shpërndaje

Sonte, në një atmosferë të veçantë, u bë promovimi i kandidatit të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) për Kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, transmeton albazone media.

Në prani të qytetarëve dhe mbështetësve të tij, u prezantua kandidatura e Arkin Jahijit dhe vizioni i tij për të ardhmen e komunës. Mesazhi i mbrëmjes ishte i qartë: qytetarët e Bërvenicës duan që për të ardhmen e komunës të vendosin vetë dhe që vullneti i tyre të respektohet.

Postimi nga BDI:

Qytetarët nuk do të lejojnë që mashtrimet të përsëriten. Ata e mbajnë mend se si, pas zgjedhjeve të kaluara, vullneti i tyre u deformua dhe kandidati i tyre u la në baltë, vetëm që drejtimi i komunës të bëhej pjesë e pazareve politike. Kësaj radhe, qytetarët e Komunës së Bërvenicës e kanë më të qartë se kurrë se vendimi për komunën duhet të jetë i tyre.

Sot, qstetarët e Bërvenicës e njohin më mirë se kurrë nevojën për një drejtim të përgjegjshëm, profesional dhe të përkushtuar; për një njeri që jeton çdo ditë me qytetarët, i njeh hallet e tyre dhe e di se çfarë i duhet komunës. Arkin Jahiji është biri i saj dhe kandidatura e tij është alternativë për një drejtim që buron nga vetë vullneti i qytetarëve.

Prandaj besojmë se mbështetja për Arkin Jahijin do të jetë bindëse dhe se fitorja e tij do të shënojë një fillim të ri për Komunën e Bërvenicës. Një fillim ku qytetarët vendosin vetë, pa pazare dhe pa deformim të vullnetit të tyre.

Postimi nga Arkin Jahiji:

Sonte, në Çellopek, gjatë promovimit të kandidaturës sime për Kryetar të Komunës së Bërvenicës, përjetova emocione të veçanta, por mbi të gjitha ndjeva një përgjegjësi edhe më të madhe ndaj jush.
Faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve që ishit sonte pranë meje, familjeve, miqve, bashkëatdhetarëve dhe aktivistëve të koalicionit AKI për përkushtimin dhe mbështetjen tuaj.
Kjo mbështetje nuk është vetëm forcë për mua, por është edhe përgjegjësi. Përgjegjësi që të punoj me ndershmëri, përkushtim dhe të jem gjithmonë pranë qytetarëve, ashtu siç kam qenë edhe deri më sot.
Sonte nuk fillon vetëm një garë zgjedhore. Sonte forcojmë një besim dhe një angazhim të përbashkët për Bërvenicën.
Me njerëzit, për njerëzit dhe pranë njerëzve.
Bashkë për Bërvenicën! ❤️
Këtë rrugë do ta ecim së bashku.