Maqedoni

Presidencialet në Maqedoninë e Veriut, shtabi Blerim Rekës: Nuk do të bëjmë tregti me votat

Shpërndaje

Shtabi zgjedhor i kandidatit për president të vetëm shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, tha sot pas eliminimit, se nuk do të ketë tregti me vota as me njërin kandidat as me tjetrin. Zhvillimi vjen pas fushatës së joshjes që kanë nisur dy kandidatët e raundit final Stevo Pendarovski i koalicionit qeveritar dhe Gordana Siljanovska e opozitës së VMRO-DPMNE të cilët kaluan në raundin final të 5 majit me rreth 42 për qind të votave secili. Reka mori pak më shumë se 10 për qind.

Votuesve të tyre Reka ju bëri porosi të votojnë me vullnet të tyre në rrethin e dytë zgjedhor, pa dallim se çfarë mesazhe dërgojnë nga shtabet e dy kandidatëve

“Ne që në fillim të fushatës porositëm se nuk do të bëjmë tregti politike me votat. Ne nuk bëjmë thirrje as në bojkot, as që do t’i inkurajojmë votuesit të votojnë për Siljanovskën apo Pendarovskin. Të njëjtin qëndrim kanë partitë që mbështetën Rekën, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Mendojmë se në këtë mënyrë tregojmë pjekuri dhe kapacitet demokratik”, tha Florin Hasani, shefi i shtabit zgjedhor të Blerim Rekës, duke shtuar se profesori universitar gjatë pjesës së dytë do të përmbahet të japë deklarata.

Siljanovksa: Kisha nderin të marr pjesë në presidenciale me Blerim Rekën

Nëpërmjet rrjetit social “Facebook”, kandidatja për kryetare të shtetit, Gordana Siljanovska Davkova shkroi se “kisha nderin të marr pjesë në zgjedhjet presidenciale me Blerim Rekën”.

“Diskutimet që i kishim, edhe për çështjet që pajtoheshim, si dhe për ato që nuk pajtoheshin, ishim të nivelit të lartë dhe rritën cilësinë e debatit”, shkroi Siljanovska.

Siljanovksa i uroi Rekën për votat e marra dhe se i vjen keq që nuk arriti në rrethin e dytë.
Mbrëmë, Siljanovska në paraqitjen e saj, tha se nëse votat e Blerim Rekës i shtohen votave të saj, “tregimi” për president të shtetit do të merr fund.

“Nëse votat që ne kemi fituar, ia shtojmë votat që ka marrë kandidati i pavarur Blerim Reka, tregimi për kryetar shteti do të përfundojë dhe atëherë do të mund të shpresojmë për të ardhme evropiane”, tha mes tjerash Siljanovska.

Pendarovski: Pres mbështetje nga votuesit e Blerim Rekës në zgjedhjet e 5 majit.

Kandidati për kryetar shteti që mbështetet nga partitë politike në pushtet, Stevo Pendarovski falënderoi të gjithë qytetarët që kanë votuar në zgjedhjet e djeshme për kryetar shteti.

“Shumica e qytetarëve votuan për Maqedoninë evropiane, për zhvillim dhe përparim” tha Pendarovski duke shtuar se i kuptoj qytetarët që dje nuk votuan dhe se 5 maji është data e fundit është për ta siguruar të ardhmen evropiane
“Pres mbështetje nga votuesit e Blerim Rekës dhe ju bëj thirrje masivisht të dalin në votime. E di se ata mbështesin vizionin tim për Maqedoni evropiane kundrejt revizionit dhe bllokimeve që i paralajmëron Siljanovska”, tha Pendarovski duke cekur se nga vota e votuesve të Rekës varret e se në çfarë kursi do të shkojë shteti.
Pendarovski shpreson se në rrethin e dytë do të arrihet dhe se gjithmonë gjatë zgjedhjeve presidenciale censusi është më i ulët në krahasim me zgjedhjet kuvendare dhe zgjedhjet për kryetar shteti.
“Më pëlqeu deklarata e Rekës kur tha se nuk do të bëj tregti me votat e mia”, tha mes tjerash Pendarovski.