Sela: Gjykatat dënojnë sipas emrit që ke dhe gjuhës që flet e jo sipas veprës! Regjimi është gjallë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët ka reaguar nëpërmjet Facebookut të tij ndaj drejtësisë selektive që po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Ai diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në pushteti gjyqësor e ka ndërlidhur me pazaret politike që kandidatët për President, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski tentojnë ta bëjnë me shqiptarët. Sipas Ziadin Selës në gjykata nuk ka rëndësi se çfarë vepre ke bë, por emri dhe mbiemri shqiptar. Lideri i opozitës nëpërmjet këtij reagimi, ka rikujtuar edhe rastin e ‘Almirit’, ku kryesi i veprës kriminale morri dënim minimal.
“Kush kënd do ta përkrah? Kush me cilin bën tregti e pazar? Me Stevon a me Gordanën?
Po kush është me hallet e shqiptarit të zakonshëm?!
Po, po sot para hundës tuaj vrasja aksidentale u dënua si vrasje mizore. Tridhjetë e tetë vite burg! Dje vrasja mizore e Almirit u trajtua si aksident trafiku dhe liri për vrasësin. Filantropi dënohet për terrorizëm e terroristi amnestohet. Në gjykata ska rëndësi vepra që ke bërë, por emri dhe mbiemri që mban dhe gjuha që flet. Skllevërit duhet dënuar që “qytetarët” të jenë të kënaqur.
P.S. Nuk ka denim që kompenzon humbjen e një jete. Çdoherë ngushllimi duhet të jetë te e drejta dhe jo te harbutria.
#Regjimiështëgjallë” ka reaguar kreu i ASH-së Ziadin Sela.