Taravari: Kam menduar se për Rusino-n ka një ekip që di të udhëheq, por tash mendoj seriozisht se aty duhet një ekip profesionistësh e jo ushtar partiak të BDI-së
Janë bllokuar sërish punimet për ndërtimin e deponisë Rusino të Gostivarit. Problem përbëjnë pronat private të banorëve të cilët pengojnë asfaltimin e disa rrugëve. Nga Qendra për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut thonë se punimet nuk mund të vazhdojnë për aq kohë sa Komuna e Gostivarit nuk bën shpronësimin e tokave.
Kemi në disa lokacione që nuk janë të rregulluara çështjet pronësore juridike, por nuk i di tamam detajet, andaj thirrja mbledhje që ta sqarojmë. Por, atë e bën komuna, sepse rajoni nuk ka mjete dhe nuk ka mekanizma për shpronësim të tokës – tha Fatmir Saiti, drejtues i Qendrës për Zhvillimin e Rajonit të Pollogut.
Por Komuna e Gostivarit përgënjeshtron pretendimet e drejtuesit të Qendrës për zhvillimin e Pollogut. Arben Taravari tha se shpronësimin e tokave duhet ta bëjë realizuesi i projektit.
Absolutisht është e pavërtetë kjo që e kanë thënë, sepse projektin e udhëheq Regjioni i Pollogut dhe e kanë ato në dorë. Eksproprijimin komuna e Gostivarit nuk është e obliguar ta bëj, sepse shpronësimin e bën institucion që nuk është nën ingerencat e komunës. Unë kam menduar se aty është një ekip e cila di të udhëheq bile herën e fundit për mandatin e drejtorit e kemi përkrah edhe ne, por tash do e mendojmë seriozisht se aty duhet një ekip profesionistësh e jo ushtar partiak – tha Arben Taravari, kryetar i komunës së Gostivarit.
Asfaltimi i rrugës drejt Rusinos duhej të përfundonte katër vjet më parë, ashtu siç ranë dakord kryetarët e nëntë komunave të Pollogut. Ndërsa përmes Rajonit Planor të Pollogut, projekti filloi të realizohet me ndihmën e tetë milion frangave zvicerane që i ndau Agjencia Zvicerane për Zhvillim ku përveç rrugës, parashikohet të bëhet drenazhi për ujërat e zeza, kanalizimi i deponisë dhe mbrojtja e fushave nga ujërat e zeza që rrjedhin nga deponia.