Votat e shqiptarëve në fokus të kandidatëve presidencial

Shpërndaje

Qytetarët shqiptarë dhe ata që bojkotua zgjedhjet janë në fokus të dy kandidatëve për president, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Kandidati i pushtetit Pendarovski në tentim për të bindur votuesit, gjatë fushatës për rrethin e dytë këmbëngul se koncepti i tij është ai euroatlantik që shpie vendin drejt BE-së.

Votimi për numrin 3 më 5 maj, do të thotë se Gruevski asnjëherë më nuk do të kthehet në Pushtet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa do të kthehet të bëjë dënimin me burg në Idrizovë. Me votim masovik më 5-tin ne përfundimisht pas 10 viteve do të kemi president të shtetit në këtë shtet. Në tetë vitet e para të mandatit të tij, Ivanov ishte tërësisht i shurdhër për të gjitha devijimet që i bënte ai pushtet – u shpreh Stevo Pendarovski, kandidat për president.

Kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska në fushatën e rrethit të dytë nuk e kritikon ligjin për gjuhën shqipe e as nuk i shfaq si problematike për maqedonasit Marrëveshjen e Prespës dhe atë me Bullgarinë. Madje drejtpërdrejt kërkon edhe votën shqiptare.

Si do të jetë nuk e di, por unë e di se kur u drejtohem qytetarëve, u drejtohem të gjithëve pa dallim përkatësisë etnike, fetare dhe racore, u drejtohem të gjithëve si individë të respektuar me të drejtën e votës personale. Nëse do të fitoj, thellë do ti falënderoj mbështetësit dhe do të deklaroj se partia ime, do të jenë kushtetuta dhe ligjet, për shkak se unë jam njeri jo partiak – tha Gordana Siljanovska, kandidate për presidente.

Ekspertët vlerësojnë se kandidatët për president dhe partitë që mbështesin ata, morën mësim nga rrethi i parë i zgjedhjeve. Profesori universitar Qashif Bakiu, thotë se ndryshimi i retorikës vjen pasi është e qartë që vota e shqiptarëve vendos për fituesin e zgjedhjeve dhe për arritjen e cenzusit.

Ndryshimi i Pendarovskit vërehet në mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit që bën ai me qytetarët. Ai e pa se nga distanca nuk mund të ofrohet, apo nuk mund të sjellë efektin e duhur me qytetarët Mendoj se ai ka ndryshuar qasjen duke tentuar qenë mënyrë të drejtpërdrejtë të krijoj komunikim me votuesin shqiptar. E njëjta gjë vërehet edhe tek Siljanovska e cila tenton që të zbus atë raportin e fuqishëm nacionalist që e bart nga partia e cila i jep përkrahje asaj – theksoi Qashif Bakiu, profesor universitar.

Ekspertët vlerësojnë se dy kandidatët në ditët e fundit të fushatës së rrethit të dytë do të bëjnë një fushatë intensive, me qëllim tërheqjen e sa më shumë votuesve të cilët në rrethin e parë nuk e shfrytëzuan të drejtën e tyre për votë./ALSAT/