Maqedoni

Zaev: Presidenti të zgjidhet nga Kuvendi, paratë e fushatës të shkojnë tek qytetarët

Shpërndaje

Kryeministri Zoran Zaev tha se nëse dështojnë zgjedhjet presidenciale do të inciohen ndryshime kushtetuese me qëllim që presidenti të zgjidhjet në kuvend ose të hiqet censusi.

Zaev megjithatë u shpreh i bindur se zgjedhjet do të jenë të suksesshme. Kryeministri Zaev gjithashtu foli për zgjedhjet presidenciale, për financimin e fushatës, për rritjen e rrogave dhe ekonomisë, për largimin e qytetarëve nga vendi dhe për nepotizmin.

“Unë jam i bindur se zgjedhjet do të jenë të suksesshme. Jam 99 përqind i sigurt se do të jenë të suksesshme. Posaçërisht në fund të raundit të parë të fushatës, ashtu e shoh. Më në fund vendimet varen nga qytetarët dhe jo nga politikanët dhe partitë politike. Madje edhe sikur dikush të vendosë të bojkotojë në rrethin e dytë, qytetarët do të dalin dhe do të arrihet 40 përqind, do të ketë census”.

Kreu i ekzekutivit në Maqedoninë Veriore foli edhe për mundësitë në rast se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit dështon.

“Kjo është përshtypja ime. Sidoqoftë Kushtetuta parasheh që menjëherë të shkohet përsëri në zgjedhje, nuk përcakton se pas sa kohësh. Por gjithësisë, ka edhe dy mundësi të tjera, ndryshim i Kushtetutës. Njëra mundësi është heqja e censusit dhe mundësia tjetër është që presidenti i shtetit të zgjidhet në Kuvend. Këto janë mundësitë që kemi në dispozicion. Unë thash jam përkrahës i idesë që presidenti të zgjidhet në Kuvend, sepse ashtu edhe dëgjoj nga qytetarët, ashtu thonë, “ njerëz bëjeni këtë gjë”.

Mirëpo kryeministri i Maqedonisë Veriore ndër të tjera theksoi se ky është qëndrimi i tij personal.

“Sigurisht këtë gjë nuk e bënim dot para këtyre zgjedhjeve. Por, para disa të tjerave, ja e them se qëndrimi im personal, nuk jam konsultuar në parti, është që duhet të jemi racional në gjithçka”.