Me lot në sy përulet para të bijës/ Homazhet e fundit për dëshmoren… (Video)
Ka nisur në orën 10 ceremonia e homazheve në ndërim të “Dëshmores së atdheut”, Zarife Hasanaj, që humbi jetën në Letoni gjatë një misioni ushtarak.
Familjarët, miqtë dhe të afërm të saj kanë kaluar pranë arkivolit të saj. Në këtë ceremoni e cila është shtetërore kanë marrë pjesë dhe personalitete të larta.
Përpara trupit të Dëshmores së Atdheut u përkul i pari i ati i saj, e familjarë të tjerë. Me lot në sy ai ka ndëruar të bijën, që tashmë është “Dëshmore e atdheut”.
Dita e sotme është shpallur Ditë Zie Kombëtare në nder të nëntetares. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e premte, datë 10 Maj 2019 shpallet ditë zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Muharrem Hasanaj, rënë në krye të detyrës gjatë misionit të saj jashtë.
Sipas këtij vendimi, në të gjitha institucionet shtetërore flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe në orën 12 do të mbahet një minutë heshtje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Zarife Hasanaj ndërroi jetë në 6 Maj gjatë misionit të saj në Letoni, ku i shpërtheu një minë, kurse janë plagosur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolla Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Hasanaj u kujtua me respekt nga presidenti i vendit Ilir Meta, kryeministri Rama dhe politikanë të opozitës së bashkuar.
Edhe në bazën Camp Adazi në Letoni u organizua një ceremoni lamtumire për nder të saj, me pjesëmarrjen e efektivëve nga 10 vendet, pjesë e misionit “Enhanced Forward Presence”./balkanweb.com/