Pendarovski për RTSH-në: Shqiptarët nuk janë ende të barabartë me maqedonasit

Shpërndaje

Sipas presidentit të ri të vendit, Maqedonia e Veriut është një vend më i mirë edhe për shqiptarët, se sa vite më parë dhe janë shifrat që flasin për këtë gjë.

Pendarovski : Po, Maqedonia sot është më e mirë dhe kjo duket në shifra që janë të vërtetueshme, me ministrat shqiptarë në qeveri për shembull, në 2001 dhe 2002 pas nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, kishim në të gjithë administratën shtetërore maqedonase vetëm 2.4 përqind shqiptarë në të gjitha institucionet e vendit, ndërsa sot kemi mbi 19 përqind përfaqësim në këto insitutcione, dhe për një vend me burime shumë të kufizuara financiare ky është një hap i madh përpara.

Padyshim që nuk mund të them se shqiptarët janë 100% njësoj me vëllezërit e tyre maqedonas të përfaqësuar në këtë vend, por mund të them me plot gojën se janë në një pozicion shumë më të mirë se sa vite më parë apo se sa në dekadën e parë pas pavarësisë, tha zoti Pendarovski.

Madje marrëdhënia me shqiptarët , por dhe trajtimi që duhet ti bëjnë maqedonasit atyre për presidentin e ri të Maqedonisë së veriut është vendimtar për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Pendarovski : Padyshim që duhej të kishim një proces të pastër zgjedhor dhe kjo u arrit, në mënyrë që të kishim një prezantim sa më të mirë në qershor në Bruksel kur të merret vendimi jo vetëm për ne, por edhe për Shqipërinë, sepse kështu na u tha vjet në Sofje, që Shqipërisë dhe Maqedonisë do ti jepet qershorin e 2019 një datë për çeljen e negociatave dhe më besoni që ky është parakushti i fundit.

Më besoni mua, ne u bëmë vend kandidat në 2005, pas kësaj ne nuk ecëm përpara për shkak të bllokadës greke me emrin, kjo është diçka tjetër, por ne e morëm statusin e kandidatit vetëm për zbatimin e mirë të marrëveshjes së Ohrit, sepse Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dinë mirë se Maqedonia duhet të jetë e qetë në aspektin interetnik, duhet të jemi mirë me njëri tjetrin të kemi stabilitet të brendshëm dhe vetëm pastaj pasi ti kemi realizuar këto mund të ecim me integrimin euroatlantik.

Ne prej 2001 ecëm mirë përpara me zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe me marrëdhënien ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve në rradhë të parë dhe edhe më të tjerët padyshim, duke patur rezultate të mira dhe pas 4 vitesh morëm statusin e vendit kandidat në 2005.

Sot nëse ne nuk do të jemi mirë në marrëdhënien tonë të brendshme ndëretnike sidomos me shqiptarët, ne nuk do ta marrim dot atë datë për çeljen e negociatave edhe pse mund të kemi bërë zgjedhje me standarte skandinave si këto presidenciale këtë herë. Absolutisht për rrugën tonë në drejtim të integrimit europian është thelbësore një marrëdhënie e mirë ndëretnike sidomos me shqiptaret dhe më pas me të tjerët.

Për mua kjo është një vlerë e shtuar e imja që bëra një fushatë ku nuk dola të kërkoj vetëm votën e maqedonasve etnikë,pasi për mua Maqedonia nuk është vetëm e maqedonasve, por Maqedonia është një vend i kujtdo që jeton këtu,dhe jam dakord me ata që thonë se është shumë më e lehtë të jesh politikan në Slloveni ku nuk janë këto probleme pasi homogjeniteti etnik është i qartë dhe në Maqedoni nuk është shumë e lehtë të bëhesh kryeministër,president por as kryetar bashkie pas multietniciteti është vendimtar. Por nëse të duket e vështirë atëhere nuk ke pse garon pasi nuk je gati për këtë punë. Kaq e thjeshtë është kjo, tha zoti Pendarovski.

Ndërkohë tregon pa drojë marëdheniën e tij me shqiptarët pse ajo është e veçantë që nga fillimi.

Pendarovski : Në 2014 unë isha politikani i parë etnik maqedonas i cili foli për herë të parë shqip në historinë e këtij vendi kur ju drejtova shqiptarëve në gjuhën e tyre nëpërmjet një spoti televiziv. Sepse slogani im në ato zgjedhje ishte….Maqedonia meriton president….tani slogani im ishte “Bashkë përpara” ndërsa tani i mbyllja mitingjet e mia elektorale me fjalët votoni për numrin tre ….tani them faleminderit, tha zoti Pendarovski për RTSH.