Rajoni

Rama: Meta ishte korrekt kur ofroi dorëheqjen për shtyrjen e zgjedhjeve

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama e ka konsideruar korrekt dhe brenda kornizës kushtetuese reagimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, sa i përket përpjekjes për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në të cilën ndodhet vendi.

“Është brenda kornizës kushtetuese, mendoj se ka qenë korrekt”, tha Rama për Metën në emisionin ‘Open’ në Top Channel, duke shmangur në këtë mënyrë një tension të rri në marrëdhëniet Qeveri-Presidencë.

Kliko per me shume info
Në lidhje me rrezikun e përsëritjes së konfliktit të vitit 1997, për të cilën ka paralajmëruar edhe presidenti, Rama tha: “Mendoj se e ka bërë për t’i dhënë më shumë peshë shqetësimit, por nuk besoj se ka lidhje me ‘97.”

Rama komentoi edhe gatishmërinë e presidentit për të shtyrë datën e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se nuk lëviz nga 30 qershori.

“Ne nuk kemi asnjë tundim për të vënë në dyshim datën e zgjedhjeve. Datën nuk e kemi caktuar ne, por e kemi ditur kur e ka përcaktuar presidenti. Kemi menduar për zgjedhjet, kemi punuar për zgjedhjet dhe jemi gati të shkojmë përpara atyre që janë pronarë të zgjedhjeve (qytetarëve)”, u shpreh Rama.

Presidenti Meta ka ofruar dorëheqjen nga posti më i lartë i shtetit, nëse kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës, si dhe do ishte i gatshëm të shtynte zgjedhjet lokale nëse arrihej një marrëveshje midis partive politike.