BDI dhe Ali Ahmeti drejt greminës së pashmangshme, ja kush e thotë?!
BDI ndodhet në tatëpjetën më të madhe drejt greminës po aq të madhe prej ekzistencës së saj dhe asnjë shenjë tash për tash nuk po duket në horizont se kjo parti mund të këndellet sa do pak për të shpëtuar veten e saj nga kjo situatë e rëndë e krijuar.
Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – Në prill të këtij viti BDI u mobilizua bukur shumë me të gjitha strukturat e saj për të grumbulluar sa më shumë që të jetë e mundshme vota për kandidatin e propozuar nga LSDM e të pajtuar nga krejt partitë qeveritare për kryetar të vendit.
Në të njëjtën kohë, po në prill, nga brenda BDI-së tingëllonin sinjale se kjo parti do të fillojë që të këndellet e të rebelohet ndaj partnerit të saj kryesor maqedonas qeveritar në qeveri, LDSM-së dhe kryeministrit Zoran Zaev.
Prilli shkoi. Shkoi edhe muaji maj, Stevo Pendarovski ua mori votat shqiptarëve dhe pra edhe BDI-së dhe u bë kryetar shteti për pesë vitet e ardhshme.
Gjatë po kësaj kohe BDI-ja mbajti takime të brendshme për të riorganizuar strukturat e saj, ato të rinisë, por kryesia e saj nuk ndërmori gjë për të ndërruar gjë as brenda vet kësaj kryesie e as ndonjë ndërrim përmbajtjesor në qeveri.
Tash thuhet se në kongresin e fundit të këtij viti do të ndodhë diçka brenda strukturave më të larta të partisë ?!
E që më herët, tash dhe deri në atë kohë LSDM është vënë në aksion e sipër.
Përkundër se tash BDI dhe partitë e tjera shqiptare në pushtet (PDSH, Alternativa dhe RDK) nuk e kanë brengën e rrugës drejt NATOs dhe nuk ndodhen nën presione të dikurshme të perëndimit për të mos krijuar kriza politike të brendshme, tash pas heqjes së vetos greke asgjë nuk ka ndryshuar në të vepruarit e këtyre katër partive shqiptare në pushtet.
Këto katër parti shqiptare e lejuan në mënyrë skandaloze propozim-ligjin e LSDM-së për të zvogëluar buxhetin shtetëror për shtesat e fëmijëve dhe zvogëluar shtesat totale të familjeve për fëmijët e tyre për muaj.
Ky ligj u miratua pa asnjë kundërshtim në parlament. 74 deputetë ishin prezent me 21 maj. Askush nuk ishte kundër. Që të gjithë deputetët prezent votuan PO, edhe pse pikërisht familjet e mëdha shqiptare, pra ato me 3 fëmijë, do të jenë më të dëmtuarat sepse ato me këtë ligj do të marrin më pak para sesa që merrnin vetëm për fëmijën e tretë deri më tash.
Në muajin maj, Stevo Pendarovski u bë kryetar shteti dhe vendimin e parë që e mori në ristrukturimin e shërbimit të zbulimit shkaktoi një pakënaqësi tek BDI-ja me emërimin e Eroll Musliut për drejtor të DSK-së.
BDI-ja përmes Bujar Osmanit të nesërmen shprehu pakënaqësi fjalësh për rrolin e mundshëm të Musliut në gjakderdhjen e majit 2017 në Kumanovë. Por tashmë BDI e harroi këtë çështje duke e treguar kështu inferioritetin e saj të madh përballë Zoran Zaevit dhe Stevo Pendarovskit.
BDI deri më tash nuk ka vepruar fare as ndaj anëtarëve të saj në qeveri dhe parlament të përfshirë në nepotizëm. Në fakt asnjë parti në pushtet e as në opozitë nuk ka bërë ndonjë ndëshkim ndaj anëtarëve të tyre për shkak të nepotizmit.
BDI, ndërkohë po hesht edhe ndaj dështimeve në sjelljen e investitorëve të huaj në zonat shqiptare. Asnjë fabrikë e huaj, e me këtë asnjë vend pune, nuk është hapur në zonat me shumicë shqiptare prej tash e dy vite, prej se ekziston kjo qeveri koalicioni.
Është Koço Angushev i Zoran Zaevit « mbreti » i cili vendos se ku do të hapen fabrikat e huaja. E BDI me ministrin e saj të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, heshtin duke e treguar kështu inferioritetin ndaj Angjushevit dhe Zaevit të cilët vazhdojnë që investitorët perëndimorë t’i dërgojnë nëpër zonat me shumicë maqedonase.
Edhe vet brenda BDI-së ka pakënaqësi për mungesën e investimeve të huaja gjatë këtyre dy viteve. Por BDI megjithatë nuk po ndërmerr gjë për të ndryshuar situatën dhe tendencat e Angushevit dhe Zaevit për investimet e huaja dhe punësimin e qytetarëve të cilave po ua shohin të mirën vetëm maqedonasit e jo shqiptarët.
E në këtë listë të pakënaqësive ndaj BDI-së dhe partive të tjera shqiptare bënë pjesë edhe kërkesa e tyre për ligjin e ri për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, përkatësisht përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat e ushtrisë dhe monedhën Denar, gjë që me insistimin e LSDM-së u dërgua në Komisionin e Venedikut, përgjigja e së cilit për kushtetutshmërinë e kërkuar nga LSDM nuk do të merret as kësaj vere, por aty diku nga fundi i vitit.
Ishin vet partitë shqiptare në pushtet, pra edhe BDI sidomos, ato që u pajtuan që përdorimi i gjuhës shqipe në monedhë dhe ushtri të vendoset nga Komisioni i Venedikut, pra në këtë rast të vonohet, e në versionin më të keq edhe hedhet poshtë nga i njëjti komision.
E javëve të fundit BDI ndodhet në problem tjetër të madh, jashtëzakonisht të madh me audio-inçizimet e bisedave të anëtarëve të saj të lartë, sidomos Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit.
El-Cheka është bërë hero i kundërshtarëve të BDI-së dhe halë në sy për këtë parti. Komunikatat e forumeve rinore të BDI-së në mbrojtje të vet partisë dhe kreut të saj tingëllojnë zë jashtëzakonisht i dobët përballë peshës së dëmshme e të madhe që po krijojnë këto publikimeve për krejt partinë tashmë të strukur në defensivë të çuditshme.
Me publikimin e këtyre bisedave, përmbajtja e cilave nga një pjesë e madhe e publikut vendor shqiptarë po cilësohen për të keq dhe në dëm të BDI-së, kjo parti tash ndodhet në hallin më të madh gjatë këtyre dy viteve, dhe kjo po i ndodhë tash edhe më partnerin e ri maqedonas, LSDM-në, ashtu siç i ndodhi edhe dikur me disa inçizime sa ishte në pushtet me VMRO-DPMNE.
Brenda BDI-së flitet shumë për krejt këto çështje të renditura më lartë, por BDI po flet me gjysmë zëri dhe nuk po vepron për të ndryshuar situatën e cila po e dëmton rëndë atë dhe të ardhmen e saj.
Prandaj, në këtë situatë të komplikuar dhe të rëndë për BDI-në dhe krerëve të saj natyrisht se shtrohet pyetja e madhe : A është BDI-ja në një tatëpjetën e madhe të dytë me radhë të saj ashtu siç i ndodhi edhe në 2016 kur nga 19 deputetë ajo u tkurrë në vetëm 10 deputetë.
Trendi i ngjarjeve të fundit me audio-inçizimet dhe në të njëjtën kohë grumbullimi i krejt dështimeve gjatë të këtyre dy viteve (pos lajmit të mirë për rrugën drejt NATOs dhe heqjes së vetos greke edhe për rrugën drejt Bashkimit Evropian) me krejt çështjet e përmendura më lartë, me gjasë nuk e mund të dërgojë BDI-në askund tjetër pos drejt greminës.
Kjo situatë e rëndë e krijuar për BDI-në është e përkryer për partitë opozitare shqiptare, ASH-në dhe Lëvizjen Besa, të cilat po fërkojnë duartë dhe po shpresojnë shumë se do të dalin më të forta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të dërgojnë Ali Ahmetin dhe njerëzit e tij në opozitë për shumë kohë, përkatësisht në greminë të thellë për të mos dalë kurrë prej saj./zhurnal/