Maqedonia është e gatshme për fillimin e negociatave me BE, ja kush e thotë!
Maqedonia e Veriut është absolutisht e gatshme për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian në muajin tetor dhe BE-ja nuk ka argumente kundër fillimit të procesit. Një mesazh të tillë kanë dhënë dje shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska.
Dimitrov dje nga Sofja porositi se nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës evropiane dhe nëse vendi nuk merr datë për negociata aderuese, do të jepet mesazh i keq në tërë rajonin se ndoshta nuk ia vlen të investohet kapital politik në kompromiset evropiane dhe të punohet në mënyrë të fokusuar në reformat.
Jemi të fokusuar në tetor. Treguam marrëdhënie evropiane ndaj rajonit, ndaj fqinjësisë, ndërtojmë ura. Në vend kemi kthesë të jashtëzakonshme demokratike në dy vitet e fundit. Mendoj se jemi absolutisht të përgatitur për ta filluar procesin aderues. Nuk jemi të gatshëm për anëtarësim, megjithatë duam që procesin ta shfrytëzojmë si mjet për t’u bërë demokraci reale evropiane, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov sot në Sofje në takimin e Këshillit të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Organizatës për bashkëpunim ekonomik të Detit të Zi.
Vendi, vlerësoi Dimitrov nuk është i gatshëm për anëtarësim, megjithatë, siç tha, duam procesin ta shfrytëzojmë si mjet për t’u bërë demokraci e vërtetë evropiane.
Në të njëjtën kohë, në intervistë për ueb portalin evropian Euraktiv, ministrja e Mbrojtjes Shekerinska, thotë se shtyrja e vendimit për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut nuk është “politika më e mirë” dhe se ministrat e BE-së njëzëri janë dakorduar se nuk ka argumente kundër fillimit të procesit.
“Ministrat e BE-së vendosën të kthehen në çështjen për disa muaj, Ajo që thjeshtë është shprehur është se nuk ka argumente reale për refuzimin e fillimit të negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut”, u përgjigj Shekerinska në pyetjen për dëshpërimin nga shtyrja e datës për negociata.
Sipas saj, vendimi për shtyrjen e datës ‘nuk është politika më e mirë’ duke i pasur parasysh përpjekjet e investuara nga pala maqedonase.
“Vitin e ardhshëm, lista e pritjeve nga ana e BE-së ishte shumë e gjatë dhe ndoshta shumica kanë menduar se nuk do të jemi të aftë për të realizuar në afat sa më të shkurtër të mundshëm, duke pasur në mendje agjendë të rëndë politike, sepse të gjitha reformat vendore është dashur të shkojnë paralelisht me negociatat me Greqinë, referendumin dhe ndryshimet kushtetuese. Por, arritëm të realizojmë dhe prandaj madje edhe vlerësuesit më kritikë të avancimit tonë është dashur të pajtohen se e kemi bërë tonën, për fat të keq tani vonohet në dorëzimin nga ana e BE-së’, sqaron Shekerinska për Euraktiv.
Sipas saj, tre muajt shtyrje nuk do t’i ndryshojnë punët dhe Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të dorëzojë, por në pyetje është kredibiliteti i BE-së si aktor global dhe rajonal.
Në çështjen nëse për Maqedoninë e Veriut do të ishte më mirë të ndahet nga Shqipëria, Shekerinska nuk u përgjigj direkt, por përkujton se vendi është kandidat për anëtarësim nga viti 2005.