Meta anulon zgjedhjet, Rama: Votojmë në 30 qershor. Basha: Fituam
Presidenti i Republikës Ilir Meta anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit duke çdekretuar vendimin e tij të nëntorit të kaluar. Ky vendim sipas Presidentit erdhi si pasojë e mos reflektimit të asnjërës palë dhe me vetëdije të plotë se kushtet aktuale në krizën që po kalon vendi nuk mund ta mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta dhe demokratike.
Presidenti shkruan në deklaratën e tij se, ka patur parasysh në këtë vendim domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme,- shprehet Presidenti,- janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”. Presidenti ftoi te të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë.
Këtë vendim të Presidentit, që u njoftua pak minuta pasi kishte nisur protesta e opozitës, kryeministri Edi Rama e mësoi gjate fjales elektorale qe po mbante ne Berat. Ai tha se zgjedhje do të ketë dhe nuk habitet nga vendimi o Presidentit.
Ndërsa lideri demokrat Lulzim Basha e përshëndeti nga bulevardi “Dëshmoret e Kombit”, si një vendim që Presidenti e mori i kushtëzuar nga forca e protestuesve.
Top Channel