Rikonstruimi i Qeverisë zbardhë përplasjet mes BDI-së, dhe LSDM-së

Shpërndaje

Dy vite që nga krijimi qeveria e Maqedonisë së Veriut që nga dje ndodhet në krizë të madhe për shkak të përplasjeve midis BDI-së dhe LSDM-së, dy anëtarëve kryesor të koalicionit në krye me Zoran Zaevin. Kështu mëson Agjencia e Lajmeve Zhurnal nga burime shumë të afërta pranë Bashkimit Demokratik për Integrim pasi kjo parti pa listën e riformatimit të Qeverisë që propozoi kryeministri Zoran Zaev, ku njëherit veten e propozoi edhe për ministër të financave.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal mëson se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti aspak nuk ka qenë i konsultuar për emrat që ka propozuar kryeministri Zaev, dhe dje për herë të parë nga mediat vendore ka mësuar se Zaev do të jetë ministër i financave, dhe kjo ka shtuar iritimin te partneri i koalicionit.

Sipas të njejtit burim, me këtë veprim, kryeministri po sjellët si një “kapadai” duke mos u konsultuar fare me z.Ahmetin për riformatimin e qeverisë, gjegjësisht me fjalë të popullit “nuk e ka bërë mall”.

Burime të njejta pranë BDI-së për Zhurnal, thonë se ka mospajtime edhe për ndërrimin e drejtorëve, gjegjësisht për eshalonin e dytë. Zaev po përgatit një listë, përfshirë drejtorët aktual të BDI-së, duhet patjetër të largohen duke mos i lënë aspak hapësirë për bisedime.

Sipas burimit, momentalisht BDI po tenton ti ketë nga rradhët e saj disa zv.ministra dhe sekretarë shtetëror por kryeministri për momentin i ka thënë kreut të kësaj partie, Ali Ahmetit se për poste tjera do të jetë shumë vështirë që ti ofrojë dhe se duhet të jetë i kënaqur me postet që ministrore që i ka aktualisht partia e tij.

Nga gjithë këto mospajtime mësohet se edhe pazari mes BDI-LSDM bie në ujë, kur kjo parti bashkë me parti tjera shqiptare mbështetën Pendarovskin për tu bërë i pari i shtetit. Por që LSDM nuk e bënë mall BDI-në kjo u dëshmua edhe në emërimin e disa posteve në presidencë, konkretisht për Erold Musliun, drejtorin e Agjencisë për Zbulim. Pendarovski e emëroi Musliun në konsultim me kryeministrin Zoran Zaev dhe pa lejen e BDI-së.

Në të njëjtën kohë përplasja bëhet edhe më e madhe sesa që mund të duket në sipërfaqe, sepse ajo me fjalë të tjera thotë se në çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë e brendshme të vendit janë maqedonasit, përkatësisht partitë politike maqedonase, ata të cilët vendosin.

Njëjtë ishte në kohën e qeverisjes me VMRO-DPMNE kur kjo parti nuk kishte nevojë për votat e BDI-së për të formuar qeverinë, e njëjtë tash po ndodhë edhe me LSDM-në e cila ka nevojë për votat e shqiptarëve për të formuar dhe mbetur në qeveri.

Pesha e kësaj përplasje shtohet edhe më tej nga fakti se jo vetëm BDI, por edhe krejt partitë e tjera në qeveri, e më pak ato në opozitë, u mobilizuan dhe e ndihmuan Zaevin që Pendarovski të fitojë zgjedhjet për postin e ri.

BDI dhe partitë e tjera shqiptare kanë të drejtë që të ndjehen të tradhtuara nga kryeministri Zaev, i cili dje praktikisht largoi RDK-në nga Qeveria, pa e pyetur fare këtë parti, duke ia marrë Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Kjo situatë e rëndë e krijuar mes BDI-së dhe LSDM-së, është e përkryer për partitë opozitare shqiptare, ASH-në dhe Lëvizjen Besa, të cilat po shpresojnë shumë se do të dalin më të forta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të dërgojnë Ali Ahmetin dhe njerëzit e tij në opozitë./Zhurnal