ASH: Organet shtetërore të vihen në mbrojtje të ligjit dhe jo funksionarëve partiak
Shkas për këtë reagim është shkrimi i inspektorit te Arsimit Gjorgji Ilievski në lidhje me siç thotë ai letrën kanosëse të drejtorit të inspektoratit të arsimit Tome Spiroski si dhe udhëheqësit të sektorit Afrim Saliut, të cilët kërkojnë nga inspektori që ti demanton gjetjet faktike në lidhje me inspektimin e bërë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, i cili inspektim në mënyrë faktike kishte konstatuar avancime jashtëligjore të titujve akademik të ministrit për arsim, z. Arbër Ademit, zv.ministrit për punë të brendshme z. Agim Nuhiu si dhe funksionarit të tretë të BDi-së z. Safet Emrulit.
Aleanca për Shqiptarët aktualizon shqetësimin e saj në lidhje me presionet e llojeve të ndryshme që i drejtohen inspektorit në fjalë. Ai deklarativisht në disa paraqitje të tij publike ka theksuar se ka pasur presion nga ministri i arsimit, zv. ministri i punëve të brendshme dhe së fundi këtij procesi shantazhues i shtohet edhe presioni i drejtorit të inspektoratit për arsim.
Aleanca për Shqiptarët bën apel publik kryeministrit të vendit që të ushtrojë ndikimin e vet që presionet e këtyre llojeve njëherë e përgjithmonë të ndalen. Ftojmë inspektoratin që ta zbaton ligjin e jo të jetë në interes të politikës ditore dhe në mbrojtje të funksionareve qeverisës.
Një gjë që e dimë ne duke i marre parasysh vlerësimet e eksperteve të ndryshëm që i kemi konsultuar, është që avancimet akademike në Universitete nuk mund të bëhen në periudhe kur vendi i punës ka qenë në pushim për shkak të ushtrimit të postit tjetër shtetëror. Arsyetimi për shërbime intelektuale, poashtu nuk mban pasi që me ligj ato lejohen, por vetëm pa kompensim dhe i njëjti nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik.
Aleanca për Shqiptarët urgjentisht fton organet kompetente shtetërore, prokurorinë publike si dhe komisionin shtetëror për antikorupcion, ti heton rastet në fjalë dhe njëherë e përgjithmonë të pastrojë këtë çështje në interes të ndërprerjes së shantazheve dhe në interes të zbatimit të ligjit dhe jo të favorizimit të funksionarëve partiak.