Baton Haxhiu komenton përgjimet e Zaevit: 10 komunat e Kosovës nuk janë pjesë e ndonjë skenari
Publicisti Baton Haxhiu ka komentuar përgjimet e kryeministrit të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev i cili kishte rënë pre e dy komedianëve rusë ku kishte theksuar se Kosova do të ndahet duke ia dhënë 10 komuna Serbisë dhe se ky plan ishte rus.
Ai ka thënë se Zoran Zaev ishte i padijshëm dhe komik.
Haxhiu në “Blic Interview” me Astrit Gashin kamohuar që 10 komunat e Kosovës janë pjesë e ndonjë skenari apo konspiracioni duke thënë se ato nuk kanë qenë në agjendë të Rusisë ngase asaj i duhet status-quoja.
Ai ka mohuar gjithashtu se një plan të këtillë mund ta ketë Turqia, ngase siç tha ai, shteti turk nuk ka nevojë ta gjejë referencën në Kosovë për Qipron dhe e ka zgjedhur atë çështje.
Publicisti Baton Haxhiu e ka vlerësuar kryeministrin e Maqedonisë Veriore si të padijshëm në gjeografi dhe në historinë politike.
Ai ka thënë se pa shqiptarët, Maqedonia Veriore nuk do të ishte kjo që ishte.
Pas publikimit të përgjimeve, Zoran Zaev e kishte thirrur në telefon presidentin e Kosovës Hashim Thaçi ku i kishte kërkuar falje duke thënë që për këtë skenar ka dëgjuar nga Sputniku rus.