Rashiq: Asociacioni është obligim, duhet të formohet konform Kushtetutës

Shpërndaje

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, bëri thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet bërë konform Kushtetutës së Kosovës.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe përbën obligim për Kosovën. Prandaj, tha se ky obligim duhet të zbatohet.

Megjithëkëtë, Rashiq theksoi se Asociacioni duhet të jetë konform Kushtetutës.

“Në marrëveshjen e 2015-s thuhet se të gjitha këto marrëveshje duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Për mua kjo është bazë e mirë për Qeverinë e Kosovës që të punojë në atë drejtim”, ka thënë Rashiqi.

Rashiq e shprehu këtë qëndrim pasi ia dorëzoi familjes Stanojeviq në Graçanicë çelësat e shtëpisë së ndërtuar me fonde të Qeverisë.

Ai u shpreh i zhgënjyer edhe për anulimin e vizitës se patriarkut Porfirije, të cilit paraprakisht Qeveria ia lejoi vizitën.

“Në këtë rast fatkeqësisht është dëshmuar se politika ka ndikim të madh në të gjithë ne, në këtë rast edhe në patriarkun. Kjo më ka bërë të ndihem edhe i zhgënjyer, edhe i trishtuar, sepse mendoj se patriarku është person shumë paqësor, i cili herën e fundit ka pasur mesazhe paqësore nga këtu, ku ai i ka thënë se serbët dhe shqiptarët duhet të jenë si vëllezër”, është shprehur ai.

Rashiqi tha se me kryeministrin Albin Kurti është duke punuar në integrimin e serbëve në Kosovë dhe në krijimin e kushteve të nevojshme për një jetë normale, e edhe për marrëdhënie të mira ndëretnike.