Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e vrasësit të shtatzënës

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë, që është vrarë mbrëmë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, ka pasur urdhër për mbrojtje. Autoritetet kanë thënë se vrasës ka qenë bashkëshorti i saj. Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm. Motra e gruas shtatzënë, që u vra mbrëmë ka thënë se motra e saj ka qenë vazhdimisht viktimë e dhunës në familje. Sipas motrës së saj, viktima ishte planifikuar që të kryente lindjen më 1 dhjetor. Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

“Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë. Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë. Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave. Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”, tha Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.

Policia kërkon ndihmë për arrestimin e burrit që dyshohet se vrau gruan shtatzënë te QKUK’ja, ia publikon foton.

Kërkesë për bashkëpunim

Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar.

I dyshuari Sokol Halili, i lindur më 07.05.1991 nga fshati Godancë KK Shtime, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 30.11.2022, në Prishtinë.

Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192.