Gruevski: Mirëmbajeni autostradën, mos e gjej të shkatërruar kur të kthehem
Ditën e nesërme qeveria e Maqedonisë së Veriut do të përurojë autostradën Shkup-Shtip, e cila vlerësohet si një ndër arteriet kryesore të Maqedonisë Lindore.
Në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë kryeministri, ministra dhe përfaqësues ambasadës së Kinës.
Lidhur me autostradën, pjesa më e madhe e së cilës është ndërtuar në kohën kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE, ka reaguar ish-kryeministri Nikola Gruevski.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gruevski shkruan nga Budapesti se i gëzohet përfundimit të kësaj rruge, ndërsa shton se 85 deri 90% është ndërtuar kur VMRO-DPMNE-ja ka qenë në pushtet.
Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut është shprehur që kjo rrugë duhet të mirëmbahet dhe se të mos jetë e shkattëruar kur ai të kthehet.
“Le të jetë me fat autostrada Shkup-Shtip. Këta hajnat e pushtetit, le të përpiqen së paku ta mirëmbajnë siç duhet. Të mos jetë i shkatërruar kur të kthehem! Përshëndetje nga Budapesti”, ka shkruar ish-Kryeministri Gruevski.
Por, pas deklaratës së tij, kanë reaguar menjëherë socialdemokratët të cilët janë aktualisht në pushtet.
Në reagimin e tyre, thuhet se Gruevski ka keqpërdorur mjetet për ndërtimin e kësaj autostrade.
“Rruga e vetme nëpër të cilën do të kalojë, kur të kthehet, është rruga që çon drejt institucioneve ndëshkuese-përmirësuese, ku e pret qelia e burgut”, tha ai.
Autostrada filloi të ndërtohej në vitin 2014, ndërsa gjatësia e saj është 47 kilometra. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar 177 milionë euro./ Opinion.al E.Xh.