Interesat strategjike të popullit shqiptar në Maqedoni dhe klasa politike siç nuk i duhet

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Të gjitha të arriturat e një populli mund të shumëzohen me zero nga një klasë politike e korruptuar dhe zhytur në krime, e shitur për interesa të huaja.

Shqiptarët në Maqedoni janë humbësit më të mëdhenj në periudhën tridhjetëvjeçare të tranzicionit demokratik të rrejshëm, i cili qarqeve të caktuara u ka shërbyer vetën për krijimin e kësaj klase politike të korruptuar dhe kriminale, e cila do t’u shërbejë me besnikëri interesave të pushtetit dhe interesave të huaja, jo interesave të qytetarëve që i përfaqëson kjo klasë politike dhe interesave e synimeve strategjike të popullit shqiptar.

Pavarësisht se disa politikanë të sotëm mundohen t’i bindin qytetarët shqiptarë për të arritura “kolosale”, sidomos pas konfliktit të vitit 2001, faktet flasin se kjo nuk është kështu. Nuk është kështu, jo pse nuk ka ndonjë të arritur në sferat e veçanta, por pse degradimi politik, ekonomik, kulturor dhe moral i kësaj popullate ka rënë aq poshtë saqë do të duhen dekada të tëra për esullimin, këndelljen dhe ngritjen e sërishme të këtij populli.

Edhe sikur të ishin siguruar të gjitha të drejtat kombëtare të këtij populli, barazia e plotë juridike-kushtetuese; edhe sikur gjuha shqipe të jetë zyrtare cep më cep këtij shteti, në të gjitha institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, në të gjitha sferat e jetës; edhe sikur flamuri kombëtar dhe simbolet shtetërore të ishin siç i duan shqiptarët, të përdoren lirshëm dhe pa kufizime ligjore; edhe sikur të punësohen edhe aq qytetarë shqiptarë sa janë punësuar gjatë tridhjetë viteve të kaluara, plani strategjik afatgjatë i pushtetit sundues në këtë shtet, me krijimin e kësaj klase politike ndër shqiptarët siç është sot, e paaftë, e korruptuar, e kapur qëllimisht nga pushteti përmes aferave të ndryshme, asnjë dobi nuk mund t’i sjell këtij populli, përkundrazi do ta zhyt edhe më tej në pellgun e injorancës, në nepotizëm, korrupsion dhe krime, do ta shndërrojë në popull të kapur, vasal dhe shërbetor i të tjerëve, për arritjen e qëllimeve strategjike të tyre, për sundimin më të lehtë të tij, tkurrjen e mëteshme të hapësirës etnike, shpërnguljen sa më të madhe në botën e jashtme, pushtimin hap pas hapi të gjithë territoreve shqiptare në këtë shtet në dobi të të tjerëve dhe për interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike të serbëve, rusëve dhe grekëve.

Edhe sikur të punonin nga dhjetë fabrika për secilin nga këta politikanë shqiptarë, e gjithë kjo pasuri do të përdorej për pak kënaqësi personale, familjare dhe grupore të tyre, por toptan do të përfundonte në duart e bandave kriminale, dhe përfundimisht për interesa të huaja, jo për interesat vitale të popullit shqiptar në Maqedoni, sepse këta janë politikanë të krijuar në kuzhinat e huaja, janë të kapur, janë pjesë e klasës politike që nuk u duhet shqiptarëve!