Janeva sot ka ardhur në hapësirat e PSP-së
Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva, sot është paraqitur në hapësirat e PSP-së, njofton Portalb.mk.
Një numër i madh i ekipeve gazetareske janë përpara hyrjes së Prokurorisë Speciale në pritje që të marrin përgjigje për shumë pyetje të hapura për rastin e PTHP-së, “Reket”, në të cilin rast dyshohet të jetë e përzier Janeva.
Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion sot nëpërmjet një kumtese ka njoftuar se telefoni i dytë i Janevës, nuk është humbur në Beograd, ashtu siç kishte deklaruar djali i saj, por i është dhënë dhuratë një personi tjetër.
Ndryshe, Katica Janeva për momentin nuk është nën hetim, pasi që prokuroria nuk posedon dëshmi të mjaftueshme, mirëpo ditën që u arrestuan Boki 13 dhe Kiçeec, Prokurorja Vilma Ruskoska ka lëshuar urdhëresë për konfiskimin e celularit të saj. Raporti i ekspertizës së celularit të Prokurores Speciale, Katica Janeva, ka përfunduar dhe ka arritur tashmë në duart e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, e cila po heton rastin që tronditi shtetin “Reket”, kanë konfirmuar nga atje. Detale se çfarë është nxjerrë nga celulari i Janevës, tani për tani nuk kanë nxjerr nga Prokuroria Publike, duke mos arritur të konfirmojnë nëse ekziston komunikim ndërmjet Janevës dhe Boki 13.