Mbyllet protesta e opozitës në Tiranë: “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën” (Video)
Me thirrjet “E duam Shqipërinë pa Edi Ramën” dhe “Rama ik” opozita zhvilloi për 2 orë protestën e 10-të kombëtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. E qetë, paqësore dhe me mesazhe të forta kryefjala ishte largimi i qeverisë.
Kreu i PD, Lulzim Basha ndryshe nga protestat e tjera mbajti një fjalim të shkruar, ku për rreth 30 minuta dha mesazhet e tij të qarta dhe të forta.
“Kriminelëve ju themi se ne do ju shtypim pa mëshirë. Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërruese. Shqipëria do të jetë një vend i lirë, pa krim dhe pa dhunë”.
Ai tha se 30 qershori ishte një referendum kundër së keqes, duke theksuar se “do të rrëzojmë këtë qeverisje antikombëtare.” Pas 30 Qershorit, Basha falenderoi shqiptarët kishte një kërkesë të veçantë për socialistët.
“Nga ky shesh dua t’u drejtohem socialistëve të ndershëm kudo në Shqipëri: Ju nuk jeni hajna, ju nuk jeni kriminelë. Mos e lini partinë tuaj në duart e krimit, në duar te hajnave, në duart e injorantëve! Është përgjegjësia juaj ndaj vetes, por edhe ndaj Shqipërisë! Braktiseni Edi Ramën! Izolojeni Edi Ramën! Shpëtoni partinë tuaj dhe nderin tuaj, të marrë peng nga krimi, oligarkët dhe të fortët e rrugës”
Basha theksoi se “duhet një reformë kushtetuese, politike, zgjedhore dhe të partive politike.” Por sipas tij këto sfida do realizohen vetëm pas largimit të Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
Protesta u mbyll paqësisht me fjalimin e Bashës nga selia e PD, nga e cila tha se tashmë ata janë shumica, pasi 85% e shqiptarëve Ramën e refuzuan në 30 qershor.
Kjo protestë kishte një rëndësi të veçantë edhe për faktin se qytetarët u mblodhën para kryeministrisë për të kërkuar largimin e Ramës, në një kohë kur ky i fundit tashmë ka marrë edhe 100 përqind të pushtetit vendor pas zgjedhjeve të zhvilluara pa opozitën.
Video: