Maqedoni

Ngec rikonstruktimi në eshalonin e dytë dhe të tretë

Shpërndaje

Nuk nga progres në negociatat mes partnerëve të koalicionit LSDM-BDI në lidhje me ndryshimet në eshalonin e dytë dhe të tretë. Ndonëse eksponentë nga dyja subjektet politike kishin deklaruar se ekziston marrëveshje, një javë pas votimit të kabinetit të ri qeveritar, nuk ka asgjë konkrete. Dy subjektet presin që për ndryshimin e zëvendësministrave të merren vesh liderët e partive, ndërsa ndërrimin e drejtorive Qeveria do ta bëj në disa faza. Jozyrtarisht mësohet se BDI-së i është kërkuar të heq dorë nga Byroja e Furnizimeve Publike me të cilën udhëheq Bardhyl Nasufi, Agjencia për Investime të Huaja ku drejtor është Vullnet Ademi, “Rrugët e Maqedonisë”, drejtor Gajur Kadriu, “Hekurudhat e Maqedonisë”, drejtor Irfan Asani dhe nga Qendra e Shërbimeve në klinika me të cilën udhëheq Shkodrane Dardhishta. Në këmbim mësohet se BDI-së i është ofruar Agjencia për Inovacione Teknologjike, Inspektorati i Tregut dhe Drejtoria për Çështje Pronësore. Si pasojë e shkarkimit të Dragan Tevdovskit nga posti i ministrit të Financave, ky dikaster ka mbetur pa ministër. Por zëvendësministrja, Shyerete Elezi thotë se në këtë resor gjithçka funksionon pa pengesa.

Ministria e Financave për momentin nuk ka ministër, por ka zëvendësministër. Besojmë se do t’i realizojmë të gjitha aktivitetet të cilët janë në vijim me qëllim që të mos paraqesim pengesa ndaj institucioneve tjera, për faktin që ministria e Financave paraqet njërin ndër resorët më të rëndësishëm në kuadër të Qeverisë- deklaroi Shyrete Elezi, Zëvendësministre e Financave.

Për ministër të Financave, kryeministri Zoran Zaev propozoi veten, por Anti-korrupsioni konstatoi konflikt interesi, pas çka Zaev tërhoqi propozimin duke deklaruar se do të ushtrojë funksionin e ministrit deri në propozimin e emrit konkret. Në kuadër të rikonstruimit të kabinetit qeveritar, nga posti i ministrit të Pushtetit Lokal u shkarkua edhe Suejl Fazliu si dhe Hazbi Lika nga posti i zëvendëskryeministrit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ministrat e tjerë dhanë dorëheqje, ndërsa emra të ri në kabinetin qeveritar u emëruan Sadulla Duraku në Ministrinë për Sistem Politik, Naser Nuredini në Ekologji, Hysni Ismaili në Kulturë, Trajan Dimkovski në Bujqësi, dhe Goran Milevski në Pushtet Lokal./alsat/