Opinione

PËR SHTIGJET E LIRISË

Shpërndaje

Iku regjimi komunist i huaj, i la në pushtet kopilat e tij më të zi se vetja.

Urtia popullore thotë: Shkoi suta, i la veshët!

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shumicës së shqiptarëve u mbeti vetëm shpresa, dëshira e flaktë për ndryshime, puna dhe ndërgjegjja, aspiratat për liri dhe progres, grushti kryengritës dhe pushka e lirisë, por nuk u mbeti pushteti në duar, pasuria e shtetit, as çelësat e sigurimit të shtetit dhe burgjeve, ku duhej të përfundonin kriminelët e regjimit gjakatar të mëparshëm.

Aleatët e dëshmuar të kombit tonë na e sollën demokracinë dhe lirinë, na e rikthyen shpresën, por ne nuk kemi qenë të aftë t’i ruajmë dhe mbrojmë këto vlera, që tepër rrallë kalojnë mbi fatet e një populli.

Lirisë që na erdhi si në ëndërr, si një nuse legjendash mbi kalë, nuk ia gjetëm dhëndrrin e duhur, e përbuzëm dhe poshtëruam atë. Pushteti i mëparshëm e ngujoi këtë nuse për kopilat e tij, ndërsa neve na e la kalin në oborr, me të cilin po shetisim të lumtur për tri dekada me radhë. Ne edhe më tej mbetëm fisnikë, bashkë me kalin e bardhë, por të uritur, pa pushtet, pa liri dhe me shpresa të vrara.

Populli i shtypur dhe përvuajtur vazhdon ta këndojë këngën e kamotshme të ëndrrave dhe shpresave: „Ku ta gjej një djalë si Mema, që t’i hyjë kalasë përbrenda?!“

Heronjtë ndër varre nuk flasin, të gjallët nuk dinë të bëhen bashkë. Heronjtë që kanë mbyllur sytë me ëndrrën e madhe të lirisë, rrënkojnë e mallkojnë kopilat e kombit, që lirinë e shohin përmes lumturisë personale, xhepit dhe pushtetit të hajnave e kriminelëve.

Historia na e ka lënë mësimin e madh nga traditat tona epike: një indivi dhe një grupi, çdo armik u ngren prita, ndërsa një populli të tërë, askush nuk mund t’i vë pritë, kur shpërthen si aragan në shtigjet e lirisë!