Fjala çelës e besimeve fetare “AMIN” dhe “AMEN” më saktë e qartë shpjegohen përmes gjuhës shqipe

Shpërndaje

Teza nga Abdulla Mehmeti

(Njeriu i lashtë dhe popujt e lashtë, cilit perëndi kanë mundur t’i luten më parë se ëmës së tyre që i ka sjellë në jetë, „Nënës së Madhe“ sipas besimeve të lashta mbi figurat mitologjike, nënës (amës-ëmës) krijuese të botës dhe njeriut, të jetës mbi tokë dhe të vazhdimësisë së saj?)

Fjala „Amin“, apo „Amen“, e cila përdoret nga të gjitha religjionet dhe besimet fetare kyesore të botës, e ka burimin në gjuhën shqipe, përkatësisht në gjuhët paraardhëse të saj, ilirishten, pellazgjishten, apo gjuhën shqipe të lashtë, për të cilën shkenca ende nuk e ka thënë fjalën e fundit.

Por, me saktësi të madhe mund të thuhet se kjo fjalë e ka ruajtur kuptimin e saj të saktë, të plotë, domethënës, lehtë të shpjegueshëm, që nuk mund të zbërthehet në asnjë gjuhë tjetër të botës si në gjuhën shqipe, prej nga edhe e ka burimin, rrënjën e saj.

Fjala „Amin“, në besimin islam dhe „Amen“ në besimet e krishtera, katolicizëm dhe ortodoksi, si dhe në besime të tjera, përdoret në fillim apo në mbarim të lutjeve dhe të shërbesave fetare, por edhe si lutje e veçantë, me kuptimin themelor sipas disa studiuesve: „Ashtu qoftë!“.

Por, në të vërtetë, kuptimi i kësaj fjale është më i thellë, më përmbajtjesor dhe më kuptimplotë se kaq. Burimin e ka në besimet e lashta, para lindje së religjioneve, besimeve në një zot, si fjalë çelës, kod i secilës lutje, bekimi, betimi, urate, përkushtimi, përulje, falje apo mëshire ndaj krijuesit të botës dhe njeriut, të jetës mbi tokë.

Sipas mendimit tonë, kjo fjalë lidhet me besimin e hershëm të ilirëve, ndoshta edha nga parardhësit tanë më të lashtë, e që së paku dëshmohet sipas gjetjeve arkeologjike të derisotme, që datojnë 6 – 10 mijë vjet para erës sonë, e që lidhen me perëndeshën e tokës, të plleshmërisë, dritës dhe jetës mbi tokë, të njohur sipas mitologjisë së lashtë me emrin „Nëna e Madhe“ (Magna Mater).

Pra, kjo fjalë çelës, formulë zanore, kod i lutjeve dhe besimit, mendojmë se e ka burimin e saj fillestar, me kuptimin: AM (amë-nënë) – IN (In-En: e neve, jona, e jonë), NËNA E JONË, krijuesja e botës dhe njeriut, e jetës mbi tokë.

Shumë studiues e kanë dhënë mendimin e tyre në lidhje me këtë çështje, e që prejardhjen dhe kuptimin e kësaj fjale e shpjegojnë në mënyra dhe forma të ndyshme, por gati të gjithë e kanë një element të përbashkët, se kjo fjalë e ka burimin e saj në besimet e lashta, në figurat mitologjike, si me perëdinë e lashtë egjiptiane Amen-Ra (ose Amon Ra). Por, distanca kohore mes periudhës së besimit ndaj Perëneshës „Nëna e Madhe“ tek ilirët e lashtë* dhe të perëndisë egjiptase Amon, sipas dëshmive arkeologjike dhe të tjera, është së paku 4-6 mijë vjet, një periudhë tepër e rëndësishme, e cila nuk mund të mohohet se njerëzimi gjatë asaj kohe nuk ka ditur t’u lutet perëndive, kulteve të veta, apo së paku planeteve (kryesisht Diellit), fenomeneve të natyrës, apo lindjes dhe vdekjes.

Pra, fjala çelës e çdo lutje, në fillim ose përfundim të saj, „Amin“ apo „Amen“, nëkupton drejtimin e lutjes ndaj krijuesit, zotit, perëndisë, krijuesit të botërave, të jetës mbi tokë dhe të njeriut, e që në besimet e lashta pagane, para lindjes së besimeve në një zot, ka pasur sigurisht kuptimin e lutjes ndaj „Nënës së Madhe“, gjithashtu krijuese e botës, e jetës mbi tokë dhe njeriut, e vazhdimësisë së jetës.

Sipas burimeve arkeologjike, figura e „Nënës së Madhe“, e gjetur në trojet ilire-pajone-dardane-arbërore-shqiptare, në Nerez të Shkupit, tumbën e Pallçishtit të Poshtëm në Tetovë etj., e punuar në qeramikë, që daton së paku 6-8 mijë vjet para erës sonë, përkundër figurave të perëndisë egjiptase Amon Ra, të punuara në teknikë të avancuar, që datojnë 4-6 mijë vjet më vonë, e që nuk lejojnë mundësinë e kërkimit të rrënjëve të kësaj fjale, të burimit dhe kuptimit të saj, shpjegimit përmes figurave mitologjike dhe besimeve, shpjegimeve në gjuhë të tjera, përveç se tek besimet e lashta ilire, në gjuhën ndër të parat e botës, gjuhën shqipe dhe ndër folësit e saj.

Sidoqoftë, kjo tezë duhet të diskutohet mes studiuesve, të thellohen hulumtimet në këtë drejtim, dhe pse jo, të thuhet e vërteta se në asnjë gjuhë tjetër nuk duhet të kërkohet burimi, rrënja, prejardhja dhe kuptimi i kësaj fjale më tepër se në gjuhën më të lashtë të dëshmuar deri më sot, në gjuhën shqipe, e cila nga shumë studiues eminentë është vërtetur se mund të shërbejë si e vetmja gjuhë çelës për zbërthimin dhe shpjegimin e kuptimit të shumë fjalëve e teksteve, formulave e mbishkrimeve nga më të lashtat që njeh historia e njerëzimit.

*Pjesë nga një studim më i plotë.

(14 maj, 2019)