BotaTop Lajme

Vritet i dyshuari që hapi zjarr ndaj agjentëve të Shërbimit Sekret afër Shtëpisë së Bardhë

Shpërndaje

Një person i armatosur, i cili qëlloi me armë zjarri drejt një pike sigurie të Shtëpisë së Bardhë, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me agjentët e Shërbimit Sekret të shtunën në mbrëmje, kanë konfirmuar zyrtarët, raporton BBC.

Partneri mediatik amerikan i BBC-së, CBS, e identifikoi të dyshuarin si Nasire Best, një 21-vjeçar që ishte i njohur për agjencinë dhe kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.

Të shtënat u dëgjuan pak pas orës 18:00 sipas kohës lokale (rreth orës 01:00 të së dielës sipas kohës tonë) dhe gazetarët që po filmonin jashtë u përkulën dhe vrapuan për t’u strehuar brenda Shtëpisë së Bardhë.

Sipas BBC-së, presidenti amerikan Donald Trump ndodhej në Shtëpinë e Bardhë, por nuk u lëndua. Ai falënderoi oficerët për “veprimin e tyre të shpejtë dhe profesional”.

Të shtënat ndodhën një muaj pasi një person i armatosur hapi zjarr gjatë darkës së Korrespondentëve që raportojnë nga Shtëpia e Bardhë.