BotaTop Lajme

Demokratët nisin hetimet për bizneset e djalit të Trumpit

Shpërndaje

Demokratët në Kongresin amerikan kanë zgjeruar hetimet ndaj bizneseve dhe investimeve të Donald Trump Jr., djalit të presidentit Donald Trump, nën dyshimet se kompanitë e lidhura me fondin e tij investues kanë përfituar nga kontratat qeveritare dhe vendimet favorizuese të administratës amerikane.

Jamie Raskin, demokrat që pritet të marrë drejtimin e Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, u ka kërkuar disa kompanive të dorëzojnë dokumente dhe komunikime që lidhen me fondin investues 1789 Capital, ku Trump Jr. është partner.

Në mesin e kompanive që janë vënë nën hetim janë platforma e basteve politike Polymarket, prodhuesi i cigareve elektronike Juul, shitësi online i armëve GrabAGun dhe kompania prodhuese Hadrian Automation.

Hetimi synon të përcaktojë nëse Trump Jr. dhe partnerët e tij kanë shfrytëzuar informacione të brendshme ose ndikimin politik për të investuar në kompani që më pas kanë përfituar nga vendimet e administratës së babait të tij.

Raskin ka vënë në pikëpyetje kohën e investimeve të fondit 1789 Capital, duke theksuar se disa prej tyre janë bërë pak para se kompanitë përkatëse të përfitonin nga vendime rregullatore ose kontrata të mëdha shtetërore, shkruan reuters.

“Donald Trump Jr. ose ka fituar aftësi të jashtëzakonshme për të parashikuar të ardhmen, ose jemi përballë një komploti për të manipuluar politikat publike dhe tregjet në mënyrë që familja e parë amerikane të pasurohet”, ka deklaruar Raskin.

Një prej rasteve që po shqyrtohet është investimi prej pesë milionë dollarësh në kompaninë Juul, i realizuar në mars të vitit 2025. Katër muaj më vonë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizoi shitjen e pesë produkteve të kompanisë, përfshirë cigaret elektronike me shije mentoli, pasi më parë kishte vendosur kufizime të rëndësishme ndaj saj.

Në rastin e Polymarket, demokratët po shqyrtojnë investimin e 1789 Capital pas mbylljes së hetimeve federale ndaj platformës dhe miratimit të një blerjeje që i hapi rrugën rikthimit të saj në tregun amerikan.

Ndërkohë, GrabAGun është në fokus për shkak të propozimeve të administratës Trump që synojnë lehtësimin e dërgimit të armëve drejtpërdrejt te blerësit. Kompania kishte deklaruar se mund të përfitonte nga ndryshimet e propozuara.

Një tjetër rast është Hadrian Automation, e cila ka marrë një partneritet prej 900 milionë dollarësh me Marinën amerikane për prodhimin e pjesëve të nëndetëseve, si dhe një kontratë prej 80 milionë dollarësh për një fabrikë të prodhimit të armëve.

Hetimi po zhvillohet në një kohë kur demokratët përgatiten të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan në janar, pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit. Ata kanë paralajmëruar hetime më të gjera ndaj administratës Trump, përfshirë kontratat qeveritare dhe konfliktet e mundshme të interesit.

Trump Jr. dhe drejtuesi i 1789 Capital, Omeed Malik, i kanë mohuar akuzat për parregullsi. Edhe përfaqësuesit e fondit kanë kundërshtuar pretendimet e demokratëve.

Nga kompanitë e përfshira, Juul ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën për dokumente dhe se do të bashkëpunojë me Kongresin, ndërsa GrabAGun i ka cilësuar akuzat si të pabazuara dhe hetimin si politik.

Rasti ka marrë një dimension tjetër pasi presidenti Trump javën e kaluar nënshkroi një urdhër ekzekutiv që u kërkon kompanive me kontrata federale të njoftojnë Shtëpinë e Bardhë para se t’i dorëzojnë Kongresit informacione dhe dokumente të caktuara.

Megjithatë, demokratët argumentojnë se Kongresi ka të drejtë kushtetuese të mbikëqyrë administratën dhe të kërkojë dokumentacion në kuadër të hetimeve të tij. /Telegrafi/