Serbi kujdeset për gjakovarin të cilin vëllai e dëboi nga shtëpia (Video)
Për gati 2 dekada sa janë hulumtuar e pasqyruar raste sociale në emisionin “Edhe unë jam Kosovë”, nuk është hasur në ndonjë rast të ngjashëm me këtë që është pasqyruar në emisionin e kësaj jave.
As që do të na shkonte ndër mend se mund të ndodhë të nëpërkëmbet deri në këtë masa një qenie njerëzore.
Fjala është për rastin e Mithat Parashumti nga Gjakova. Për ta kuptuar historinë e tij duhet të kthehemi shumë vjet më parë në rininë e tij, kur ishte 21 vjeçar ai kërkoi jetë më të mirë në Suedi e Gjermani, nuk arriti të bëhej banor i asnjërit shtet dhe pas 16 vjetësh u kthye në vendlindjen e tij Gjakovë.
Pa të ardhura e pa ndonjë rezervë të hollash, thjeshtë ishte barrë për familjen, ndonëse në moshë të pjekur siç tregon vet Mithati, i vëllai që kishte krijuar familje nuk kishte mundësi që ta mbajë edhe të vëllain dhe si përfundim Mithati doli nga shtëpia ku u rrit, jetoi përkohësisht nëpër familjar e shoqëri, por kjo nuk ishte zgjidhje afatgjate, andaj u shpërngul në Prishtinë duke u bërë banor i kryeqytetit edhe me dokumente, shkruan rtv21.tv.
5 vitet e tij të jetës në një bodrum të lagjes Ulpiana ishin vitet më të vështira të jetës së tij, ngase lagështia e tepërt bëri që t’i dëmtohet palca kurrizore e t’i paralizohen gjymtyrët e poshtme.
Por kjo nuk është historia më e dhimbshme tij. Ajo që të bënë të ndihesh keq edhe më shumë është se Mithati mbeti pa përkujdesen e askujt, ndonëse kërkoi ndihmë, sipas tij në të gjitha institucionet: Qendrën për Punë Sociale, Komunën e Prishtinës, Handikos etj. Në mungesë vendstrehimi e me shëndet të rënduar për 1 muaj e gjysmë ai qëndroi në spitalin e neurologjisë në Prishtinë.
Në njërën prej ditësh siç rrëfen vet protagonisti, në spital u takua me dy bamirës të cilët i dhanë shpresë se do të kujdesen për të dhe do t’i sigurojnë një shtëpi qiranë e së cilës do t’ja paguajnë ata. E dërguan në shtëpinë e një serbi në Graqanicë, ndërsa bamirësit nuk u dukën më asnjëherë.
Mithati tash e 1 vit ju bë barrë pronarit serb, i cili nuk po e lë të vdes për bukë e për gjërat elementare për jetë. Serbi të cilin deshëm ta lëmë konfidencial, prapa kamerës na tha se ndenja njerëzore është ajo që po e bënë ta mbajë në shtëpi e të kujdeset për Mithatin, ngase nuk gjeti forcë që ta dëbojë në rrugë./21Media