Rajoni

Afër pesë centimetra trashësia mesatare e asfaltit të shkatërruar nga reshjet në rrugën Rud-Sferkë (Video)

Shpërndaje

Asfalti i rrugës që e lidh Rudin e Malishevës me Sferkën e Klinës është shkapërderdhur gjithandej. Situatën e tillë e shkaktuan reshjet atmosferike të ditëve të fundit.

Por kjo gjendje vuri në pah një punë të kryer para nëntë muajsh në këtë rrugë. Kritika kryesore është për hollësinë e asfaltit që mesatarisht është pesë centimetra, njofton Klan Kosova.

Vendin e shkatërruar e vizitoi të dielën edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili pranoi se dëmet mund të jenë shkaktuar edhe si pasojë e punës së shpejtë e jocilësore.

Por projekti i rrugës Rud-Sferkë është nisur qysh në kohën kur vetë Haradinaj ishte kryeministër.

Ministria e Infrastrukturës, asokohe e udhëhequr nga Pal Lekaj, kishte obligim financimin, por jo edhe dhënien e tenderit 270 mijë eurosh. Procedurat e prokurimit i kreu komuna e Malishevës.

Nga niveli lokal thonë se janë duke i vlerësuar dëmet dhe, në bazë të rezultateve, do të kërkohet edhe përgjegjësi për situatën e krijuar.

Ndërkohë, në Komunën e Klinës, në të cilën gjendet një e treta e rrugës, nuk e marrin përgjegjësinë për këtë projekt, pasi konsiderojnë se me të duhet të merret ai që e ka dhënë tenderin.

Në një situatë të ngjashme, të shkaktuar nga reshjet e shiut, është edhe Grabovci i Fushë Kosovës. Në këtë fshat, një rrugës lokale iu hoq asfalti pjesë-pjesë, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drenica.