Abazoviq nga Greqia: Mali i Zi e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Shpërndaje

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai, në tryezën e 26-të me radhë që organizohet nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, ka theksuar se e përkrahin edhe hapjen e negociatave për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, por edhe për Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë që të ecin para në rrugën evropiane.

“Ballkani Perëndimor i tëri duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo do të ishte për sigurinë dhe perspektivën e rajonit, të gjithë së bashku mund të kemi sukses”,ka thënë Abazoviq.

Tema e kësaj tryeze ishte “Antiteza, transformime, arritje në një botë në ndryshim”, në këtë tryezë do të marrin pjesë liderë shtetesh, ministra kabineti, drejtues të organizatave ndërkombëtare, drejtues nga biznesi, financat, profesionistë nga akademia dhe mediet. Aty ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Krahas Kurti, të ftuar në panel janë edhe Dritan Abazoviq, kryeministër i Malit të Zi, Zoran Zaev, ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe George Katrougkalos, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë. Paneli do të drejtohet nga Joan Hoey, drejtor për Evropë, The Economist Intelligence Unit.