Maqedoni

Bujar Osmani: Nuk pati festim të ditëlindjes së Ahmetit, ishte një befasi për të

Shpërndaje

Ditëlindja e liderit të BDl-së, Ali Ahmeti dje shkaktoi keqinterpretim. Nuk kishte as festë, as partizim dhe as mosrespektim të protokolleve, theksoi sot ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Ai tha se bëhet fjalë për befasi për liderin e BDl-së në ambientet e Ministrisë së Sistemit Politik nga njëri prej punonjësve, duke e uruar atë për ditëlindjen dhe më pas u shfrytëzua ai moment për të bërë fotografi.

“Fatkeqësisht, kjo shkaktoi keqinterpretim. Nuk kishte as festë, as partizim dhe as mosrespektim të protokolleve. Kishte moment të promovimit të objektit të ri në Ministri, ku një nga punonjësit e befasoi kryetarin Ahmeti me urim për ditëlindjen e tij dhe ai moment u shfrytëzua për të bërë fotografi”, tha Osmani në konferencë shtypi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në atë pjesë, sipas Osmanit, nuk ka shkelje absolute të protokolleve. Ndoshta, siç tha ai, gabimi është në mesazhin që u jepet qytetarëve në momentin kur janë fotografuar pa maskë, por sipas tij nuk bëhet fjalë për mbajtjen e një ceremonie pa maska.

“Po, mbase këtu pranoj një gabim këtu që mesazhi i dhënë për qytetarët është që një foto pa maskë duhet të minimizohet, pavarësisht nga fakti që është pa maskë në momentin e fotografimit, ndërsa jo mbajtja e një ceremonie pa maskë, por po, nuk duhet të lëshohen fotografi pa maska”, tha ai.

Osmani edhe njëherë theksoi se garanton se nuk kishte as festë dhe as nuk kishte ndonjë mosrespektim të protokolleve.

“Duhet t’i shikoni edhe fotografitë e tjera për të parë se është një moment befasie në të cilin ata u gjetën në moment, bënë fotografi. Më vjen keq që kjo u bë shkak për ndjenja të tilla dhe neurozë në mesin e qytetarëve, mendoj se nuk duhet të përsëritet pjesa e fotografive pa maska ​​për shkak të mesazhit, por në asnjë rast nuk kishte shkelje të protokolleve”, shtoi ministri.