Maqedoni

DPHM: Prej nesër borë, ndërsa nga e premtja mot shumë i ftohtë

Shpërndaje

Për shkak të depërtimit të masës së ftohtë të ajrit nga veriu, nesër pasdite dhe të enjten do të ketë të reshura lokale, të cilat pothuaj gjithkund do të jenë të borës dhe më të theksuara në pjesët perëndimore, ku përveç në vendet më të larta, shtresë e hollë e borës diku do të krijohet edhe në vendet më të ulta.

Në parashikimin e jashtëzakonshëm, Drejtoria për punë hidrometeorologjike kumtoi se të reshurat do të përfundojnë natën drejt së premtes, kur do të vijojë periudhë me temperatura tejet të ulta.

“Të premten dhe gjatë fundjavës do të jetë thatë dhe shumë ftohtë, ndërsa temperaturat në pjesën më të madhe të vendit gjatë tërë ditës do të jetë nën zero. Më së ftohti do të jetë në mëngjes gjatë fundjavës, kur temperatura në Maleshevi dhe në Pellagoni do të ulet edhe deri -12 gradë Celsius. Ftohtë do të jetë edhe në fillim të javës së ardhshme, e pastaj temperaturat do të jenë pak më të larta”, informoi DPHM.

Gjatë ditëve të ardhshme do të fryjë erë e matur deri përkohësisht të përforcuar nga drejtimi verior, më i shprehur nesër dhe pastaj të premten dhe të shtunën.