MaqedoniTop Lajme

“E vërteta” që premtoi Zaev për rastin “Monstra” që kurrë nuk e dëgjoi opinioni (VIDEO)

Shpërndaje

Rigjykimi për rastin “Monstra” është para vendimit përfundimtar të gjykatësve, ndërsa qytetarët ende nuk gëzuan të drejtën që dikur kryeministri Zoran Zaev tha se e meritojnë dhe nuk mund t’ua fshehë askush. Ajo ishte e drejta për të mësuar të vërtetën për vr*asjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, që sipas pretendimeve të atëhershme të Zaevit fshihej në përgjimet ilegale e të cilat disa herë me radhë premtoi se do t’i publikoj, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë. Jehonë të madhe kjo temë mori gjatë një interviste për gazetën gjermane “Di Cajt”, ku siç transmetonte Dojçe Vele, Zaev kishte thënë se shtatë të akuzuarit në rastin monstra janë të pafajshëm dhe se të njëjtit padrejtësisht mbahen në burg. Më pas, Zaev kishte thënë se gazetari e ka keqinterpretuar deklaratën e tij, por gazeta doli shumë shpejtë me kundërpërgjigje duke thënë se lideri i atëhershëm i opozitës maqedonase është transmetuar saktë ashtu siç është përgjigjur.

E vërteta për atë nëse shqiptarët e akuzuar për vr*asjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës, ishin fajtor apo jo, si dhe e vërteta e plotë për këtë rast mbeti të mësohej vetëm nga përmbajtja e të ashtuquajturave bomba. Vetë Zaev gjatë gjithë fushatës “E vërteta për Maqedoninë”, në çdo paraqitje jepte të njëjtin premtim bombastik:

“Unë paralajmërova disa herë në konferenca për shtyp dhe intervista. Gjithçka që ekziston tek ne, në formë dëshmie, konfirmim, çfarë do qoftë, dëshmi audio apo sms porosi, ne do ta zbardhim, pa dallim se sa ajo ndonjë grupi në shoqëri do t’i pëlqejë” është shprehur Zaev gjatë publikimit të bombave për rastin MONSTRA.

“Pasojnë materiale të ndjeshme dhe unë këtë e kam thënë publikisht. Ato materiale të ndjeshme, ndjeshmërinë e shkaktojnë sepse temën të cilën e paralajmërojnë është e ndjeshme, e pritshme për qytetarët. Këtu është rasti me Liqenin e Smilkovës, nëse këtë pyesni, këtu është Nikolla Mlladenov, e vërteta për atë rast

“Unë disa herë kam thënë dhe kam kaluar edhe një hap plus, se ajo e vërtetë do të kumtohet, pa marë parasysh nëse është në përputhje me pritjet e individëve, grupeve ose të ngjashme. Ajo do të ndodhë në kohën sipas skenarit tonë. Siç e shihni, si afrohen punët ajo kohë është tanimë shumë afër, gjithsesi jo vetëm “Monstra”” tha Zaev

Paralajmërimet e këtilla Zaev nuk i bënte vetëm nga Shkupi. Edhe gjatë një vizite në Sofje të Bullgarisë, Zaev premtoi se qytetarët “shumë shpejtë” do ta mësojnë të vërtetën. Por, për dallim nga herët tjera kur thonte se nuk do të mbajë llogari për atë se kujt sa do t’i pëlqejë e vërteta, kësaj radhe Zaev fillon të ndryshojë fjalët dhe të tregohet më i rezervuar.

“E dini se ajo është një nga pakot e dëshmive që edhe qytetarët e Maqedonisë i presin. Ne mundohemi të jemi të kujdesshëm me publikimin e atyre dëshmive që i kemi në duart tona. Përse? Sepse situata në Maqedoni është e ndjeshme pas ngjarjeve në Kumanovë. Por, ju premtuam qytetarëve se gjithë të vërtetën do ta ndajmë me qytetarët kështu që për një periudhë të shkurtër edhe dëshmitë për Liqenin e Smilkovës do të ndahen me opinionin” është shprehur Zoran Zaev

Por edhe përkundër rreziqeve dhe rezervimeve, Zaev vazhdoi të premtojë se do të publikojë bombat për rastin “Monstra”. Në një deklaratë ai shkoi deri aty sa tha se askush nuk ka të drejtë t’ua fsheh qytetarëve të vërtetën.

“Premtova dhe premtoj, dëshmitë, të vërtetën, argumentet, askush nuk ka të drejtë t’i fsheh nga populli jonë. Atje janë themelet e lirisë dhe demokracisë së dëmtuar. Atë e meriton populli jonë” tha Zaev.

Por edhe përkundër premtimeve të këtilla të bëra në vitin 2015, qytetarët edhe pesë vite më vonë asnjëherë nuk patën mundësinë që të dëgjojnë të vërtetën për rastin “Monstra” që sipas Zaevit fshihej në përmbajtjen e bisedave të përgjuara. E ndërkohë, prokurorja Fatime Fetai, në fjalët e fundit, shpalli fajtor pesë të dyshuarit, prej të cilëve për tre kërkoi burg të përjetshëm dhe për dy burgim nga 9 deri në 15 vjet. /SHENJA/