Haradinaj: Me bashkëqeverisje, synojmë të marrim njërën nga tri pozitat kryesore të shtetit
Haradinaj thotë se AAK nuk pretendon se do të jetë partia e parë në zgjedhje, por synon bashkëqeverisjen.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se orientimi i tij për postin e presidentit lidhet me disa objektiva.
“E para është përballja me Serbinë në planin e jashtëm. Pastaj objektiv është çështja e sigurisë në përgjithësi deri në anëtarësimin në NATO. Është çështja e unitetit të brendshëm. Të gjitha këto lidhen me respektimin e Kushtetutës dhe unitetit të vendit”, tha Haradinaj në “Debat Plus”.
Haradinaj thotë se pasi Thaçi la vendin vakant të presidentit, ai kishte shprehur dëshirën për të marrë përgjegjësinë në këtë drejtim.
“Po të kishte president të zgjedhur në atë kohë ndoshta edhe garancitë për lirim me kusht të atyre që janë në Hagë do të ishin tjera nga ato që u bënë me Ushtrues Detyre të Presidentit”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kandidati për president thotë se AAK shpreson të arrijë disa ulëse në Kuvend me anë të cilave pretendon të arrijë ndonjërin nga postet kryesore.
“Ne pretendojmë të futemi në bashkëqeverisje pasi e dimë se nuk mund të arrijmë vendin e parë. Me anë të marrëveshjes qeverisëse synojmë të marrim njërën nga tri pozitat e para shtetërore”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj./Telegrafi/