ShowbizTop Lajme

Këngë për Erdoganin nga shqiptarët, mijëra shikime (Video)

Shpërndaje

Një grup polifonik nga Shqipëria i ka kushtuar një këngë Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Kënga me titull “Këngë për Presidentin Erdogan” është publikuar edhe në “YouTube” dhe interpretohet nga Grupi Polifonik “Gjergj Arianiti Mallakastër” me korife Guri Rrokaj.

Në tekstin e këngës përmenden disa nga kontributet e Turqisë dhe mbështetja e hapur e Presidentit Erdogan për Shqipërinë, të tilla si ndërtimi i banesave për familjet e prekura nga tërmeti në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, si dhe ndërtimi i spitalit të Fierit.

“Lajmi i bukur mori dhenë, në të gjithë botën sot po zien. Erdogani tha me gojë, Shqipërinë do ta ndihmojë”, është pjesa e tekstit me të cilën fillon kënga.

“Shteti turk dhe Ankaraja tregoi dashurinë e saj. Shqipërisë iu gjet pranë porsi nëna për evlanë. Në Turqi tek Gjysmëhëna, Erdogan nuk bën më nëna. Burrë i besës që nuk të fal, fati për popullin shqiptar. Laçin po ngre në themel me një lagje krejt model. Do bëjë spitalin në Fier, për të gjithë vilajenë”, thuhet në tekstin e këngës, në fund të së cilës i urohet jetë e gjatë kreut të shtetit turk.

Këngët popullore polifonike janë tradicionale në qytetet jugore të Shqipërisë. Tipar i veçantë i këtyre këngëve është se disa këngëtarë këndojnë së bashku.

Në vetëm një ditë pasi është hedhur, kënga ka marrë mijëra shikime në YouTube.

VIDEO