Maqedoni

Kërçovë, fshati Premkë me probleme të shumta! Me nga dy ditë pa ujë për shkak të TEC Osllomesë

Shpërndaje

Si shumë fshatra të tjerë në Maqedoni edhe fshati Premkë i Kërçovës ka problem me ujin dhe me infrastrukturën brenda fshatit.

Disa rrugë janë të asfaltuara e disa jo, rruga në hyrje të fshatit është me gropa dhe e ngushtë dhe pengonte lëvizjen e lirë të banorëve.

Por një problem tjetër që ata hasin shpesh është furnizimi me ujë të pijshëm. Banorët thonë se sa herë punon Termoelektrana e Osllomesë ata mbesin pa ujë me orë dhe ditë të tëra.

“Kur fillon me punë termoelektrana fshati jonë nuk furnizohet me ujë, dmth nuk ka ujë. Ndalet për 2, 3, 5 orë, ndonjëherë edhe një ditë apo dy ditë varet nga puna e termoelektranës. Ne vetë si fshatarë kemi projekt bashkë me mërgimtarët por shkaku i Covidit nuk u mblodhëm që të ndërtojmë bazenin tonë dhe të furnizohemi me ujë në vetë”, tha Kadri Ajdini.

Nga TEC Osllome pohuan të njëjtën por ata thanë se kjo ndodh shumë rrallë dhe zgjat shumë pak pasi që kur stabilizohet niveli i ujit problemi rregullohet.

“Kjo ndodh vetëm kur vendoset në lëvizje telmoelektrana si rezultat i sasisë së vogël të ujit, bie shtypja e ujit në fshatin Premkë, kjo ndodh 1 ose 2 ditë derisa stabilizohet shtypja e ujit”, thonë nga TEC Osllomesë.

Gypi është 20 bar dhe kur vihet në funksion termoelektrana presioni bie në 16 bar dhe atëherë shfaqen probleme, thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale.

“Ky fshat është i lidhur me të njëjtin rezervuar me fshatin Shutovë i cili është më poshtë dhe fshatrat më lart mbesin pa ujë. Kjo ndodh rrallëherë dhe problemi nuk zgjat më shumë se dy ditë”, theksojnë nga NP Komunalec – Kërçovë.

Ky fshat përveç ujit ka problem edhe me rrugët dhe me ndriçimin publik dhe me infrastrukturën brenda fshatit dhe në rrugën kryesore në hyrje të fshatit e cila i lidh me fshatrat përreth.

“Momentalisht kemi nevojë për 3 deri në 5 drita në hyrje të fshatit për ndriçim publik, këtu tek parkingu edhe këtu mungojnë 3 drita dhe te mëhalla më poshtë”, shtoi Kadri Ajdini.

Në këtë fshat edhe disa nga rrugët ishin të shkatërruara sidomos në fillim të fshatit, e gjithë kjo si pasojë e kyçjes së kanalizimit. Banorët thonë se kanë marrë premtime për asfaltimin e rrugëve dhe zgjerimin e rrugës kryesore.