Ministri i Jashtëm austriak flet për dy pacientët kosovarë që shkuan për shërim në vendin e tij
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, u ka uruar shërim të shpejtë dy pacientëve që janë lënduar nga shpërthimi i një bombole të gazit në Ferizaj, të cilët tashmë do të vazhdojnë trajtimin mjekësor në shtetin austriak.
Ministri Schallenberg ka thënë se Ballkani Perëndimor është në fokus të politikës së jashtme austriake, prandaj është e natyrshme që të ndihmojnë në emergjenca të tilla, transmeton Telegrafi.
“Pas një eksplodimi të madh të gazit në qytetin e Ferizajit me mbi 40 të lënduar, Kosova ka kërkuar ndihmën e Austrisë. Një bashkëpunim i ngushtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor është në fokus të politikës së jashtme austriake. Është e natyrshme që ne të ndihmojmë në emergjenca të tilla” ka thënë ministri i jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.
Ndryshe, ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka falënderuar Austrinë për ndihmën e ofruar. Nga shpërthimi i një bombole gazi në Ferizaj, janë lënduar 42 persona, ku gjashtë prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.