RajoniTop Lajme

Rama dhe Oktay vizitojnë korporatën turke të mbrojtjes ASELSAN

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjendet për një vizitë dyditore zyrtare në Turqi, bashkë me zv/presidentin e Turqisë, Fuat Oktay, kanë vizituar korporatën turke të mbrojtjes, ASELSAN, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Bordit Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm i ASELSAN, Haluk Görgün, i informoi kryeministrin Rama dhe zv/presidentin Oktay në lidhje me punimet, duke shpjeguar teknologjitë që i kanë zhvilluar në fushën ushtarake dhe civile.

Oktay, në një deklaratë të përbashkët me kryeministrin shqiptar, tha se kanë zhvilluar vizitë në ASELSAN për të vëzhguar nga vendi kapacitetin e Turqisë në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe për të identifikuar nevojat e Shqipërisë.

Zv/presidenti turk njoftoi se kapaciteti i Turqisë në këtë fushë është rritur nga 20 për qind në 70 për qind, duke vënë në dukje se kapaciteti do të rritet ende më shumë.

“Në objektin ku jemi tani, ne shohim fizikisht teknologjitë dhe produktet që tregojnë se të gjitha këto zhvillime teknologjike përdoren jo vetëm në fushën ushtarake, por edhe në atë civile”, tha Oktay.

Ai tha se me kryeministrin Rama dhe delegacionin e tij, në takimet e radhës, do të vazhdojnë bisedimet se çka do të bëhet në këtë fushë, duke shtuar se “Deri tani, këto projekte kanë filluar të zhvillohen. Marrëdhëniet tona në të ardhmen do të vazhdojnë aq të fuqishme ashtu siç ishin edhe më parë”.

Zv/presidenti turk më tej gjatë fjalës u shpreh se Turqia dhe Shqipëria janë dy shtete që mbështesin njëri-tjetrin në kohë të mira dhe të vështira. “Ne jemi këtu për të diskutuar bashkëpunimin tonë në industrinë e mbrojtjes si një tregues i kësaj miqësie”, theksoi ai.

“Ajo që ka bërë ky vend është me të vërtetë tejet mahnitëse”

Ndërsa kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, theksoi se është dëshmitar se sa ka përparuar Turqia në fushën e teknologjisë brenda disa vitesh.

“Faleminderit për mundësinë e veçantë që na u dha të vizitojmë brendësinë e zemrës së teknologjisë së lartë turke dhe gjithashtu të dëshmojmë pasionin e lartë për të siguruar një transformim të jashtëzakonshëm në drejtim për të pajisur vetveten dhe botën, për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, tha Rama.

Ai theksoi se në të ardhmen e afërm shpreson që do të kenë mundësinë për të përdorur mjetet që janë zhvilluar nga ASELSAN në qytetet, rrugët dhe shërbimet e vendit të tij. “Ajo që keni bërë për këtë shtet dhe ajo se çfarë ka bërë ky vend për disa dekada është me të vërtetë tejet mahnitëse”, theksoi Rama.

Kryeministri shqiptar pas vizitës në ASELSAN ka përfunduar vizitën dyditore në Turqi.

Foto: Muhammet Fatih Oğraş / AA