Ali Ahmeti nderon heroin kombëtar Gjergj Kastriot – Skenderbeun në 556 vjetorin e vdekjes së tij

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti vendosi sot kurora me lule tek përmendorja e Gjergj Kastriot – Skenderbeut në qytetin e Shkupit, me rastin e 556 vjetorit të vdekjes së tij.

Ahmeti në Facebook shkruan se amaneti i Skenderbeut drejt fitoreve kombëtare është i përhershëm tek populli shqiptarë.

Ndër të tjera Ahmeti ka përkujtuar dhe vëllëzërit Gërvalla dhe Kadri Zeka në 42 vjetorin e rënies së tyre heroike.

Statusi i plotë:

Madhështinë e veprave të heronjve tanë nuk e zbehin dot vitet që kalojnë, atdhedashuria e tyre na mban në këmbë e në ballë të misioneve të përparimit të kombit.

Në Sheshin Skenderbeu në Shkup kujtuam sot në 556 vjetorin e vdekjes heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin – Skenderbeun, betejat e tij heroike kundër pushtuesit osman, bashkimin kombëtar që ishte forca e fitoreve të tij kombëtare dhe amanet i përhershëm.

Sot bëhen edhe 42 vjet nga rënia e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, veprimtaria kombëtare e të cilëve ishte busulla orientuese e rrugës për jetësimin e idealit të Kosovës së lirë.

Lavdi e përjetshme kryetrimit tonë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, vëllezërve Gërvalla, Kadri Zekës e të gjithë heronjve në çdo etapë të kauzës sonë kombëtare!