Specialja ua refuzon kërkesën për lirim ish-krerëve të UÇK-së
Gjykata Speciale ka marrë vendim që t’ua refuzojë kërkën për lirim me kusht ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka vendosur që të gjithë të akuzuarve t’ua vazhdojë paraburgimin.
Vendimi për vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin, Sali Mustafën, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn është bërë publik ditë më parë, ndërsa të mërkurën është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe vendimi për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Avokatët e të akuzuarve kishin bërë kërkesë që Specialja t’i lirojë klientët e tyre, duke i ofruar asaj kushte për t’u siguruar se ata nuk do të arratiseshin dhe se nuk do të ndikonin në procesin kundër tyre.
Në të gjitha rastet, gjykata ka vendosur pro pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që për secilin të akuzuar ka dërguar material në Speciale për të kërkuar mbajtjen e tyre në paraburgim.